25 vjet burgim për vrasjen në kazinon në Lipjan

25 vjet burgim për vrasjen në kazinon në Lipjan

Të paktën 50 të vdekur nga të ftohtët siberian në Evropë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 25 vjet burgim të akuzuarin A.P. për vrasjen e F.A. në kazinon “Matrix” në Lipjan në mars të vitit 2019.

Sipas vendimit, i akuzuari më 20 mars kishte hyrë në këtë kazino me qëllimin që të kryente vjedhjen. Në njoftim theksohet se A.P. i ishte afruar banakut dhe kishte kërkuar nga F.A. një pije. Kur, tashmë i ndjeri, ishte kthyer për të marrë pijen, i pandehuri kishte nxjerrë armën dhe ia kishte drejtuar viktimës duke i kërkuar paratë.

Në njoftim thuhet se pasi i kishte dhënë kuletën, viktima ishte ulur në tokë për t’i dhënë edhe para të tjera. Me këtë rast, A.P. kishte shtënë dy herë në drejtim të tij dhe viktima kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

I pandehuri kishte ikur duke marrë shumën e parave në vlerë prej 2700 eurosh.

Në periudhën e dënimit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 3 prillit e deri më tash dhe dënim unik prej 8000 eurosh.

Në njoftimin e Themelores, megjithatë thuhet se dënimi është shpallur për veprat penale “Grabitje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore:

Gjykata ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.P

Prishtinë, 05 nëntor 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit A.P për veprat penale Grabitje nga nenin 329 par.5 të KPRK-së dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga nenin 374 par.1 të KPRK-së.

I akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) viteve i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga dt.03.04.2019 e tutje dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 8.000 (tetëmijë) €, i cili dënim do të ekzekutohet pesëmbëdhjetë (15) ditë, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Me datë 20.03.2019, rreth orës 18:26, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, konkretisht në kazinon “Matrix”, i akuzuari A.P, me qëllim të përftimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme me përdorimin e forcës, kishte hyrë në kazino duke u sjellë në brendinë e saj përreth 12 minuta, pastaj ishte afruar tek banaku i kazinos dhe nga i dëmtuari tani i ndjeri F.A. kishte kërkuar fillimisht një pije dhe kur tani i ndjeri është kthyer për ta marrë pijen i pandehuri nga brezi kishte nxjerrë pistoletën dhe ia kishte drejtuar viktimës duke i kërkuar paratë, ku ky i fundit ja dorëzon kuletën me të holla dhe shtrihet në tokë për ti dhënë edhe paratë tjera, pastaj i pandehuri A.P kishte shtënë dy herë me pistoletë në drejtim të tij duke e goditur në pjesën e shpinës me ç’ rast i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri nga viktima kishte marrë shumën e parave në vlerë prej 2700 € dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

COMMENTS