U lind e u rrit në Zvicër, kosovarja zgjedh të kryej praktikën në Kosovë

U lind e u rrit në Zvicër, kosovarja zgjedh të kryej praktikën në Kosovë

Nxënësit e gjimnazit “Naim Frashëri” në Shtime, edhe këtë vit dëshmojnë solidaritetin e tyre

E lindur dhe rritur në Zvicër, ajo asnjëherë nuk i harroi rrënjët e saj. Me krenari e mban në qafë medalionin, në të cilin është gdhendur figura e Skënderbeut, ndërsa gjuhën shqipe e flet bukur e rrjedhshëm. Është kjo Diarta Aziri, shqiptarja e lindur në Schlieren të Zurich-ut, e cila tashmë është në përfundim të studimeve master në Shkollën e Lartë Pedagogjike mes Gallen-it dhe Weingarten-it, ndërsa ka punuar edhe si mësuese klasore në Zvicër.

Në një kohë kur të rinjtë kosovarë duan të largohen nga vendi për arsye të ndryshme, Diarta vendosi të kthehet pikërisht në Kosovë.

Në një intervistë për albinfo.ch, ajo tregon se si pjesë e studimeve master, i ishte kërkuar ta kryente praktikën në ndonjërin nga universitetet e edukimit në botë. E pikërisht atëherë, Diartës i erdhi ideja që të kthehet në Kosovë, jo vetëm për ta kryer praktikën, por edhe për mësuar më shumë mbi origjinën e saj. Tash tre muaj ajo po kryen praktikën në Fakultetin e Edukimit në UP, teksa kontribuon si hulumtuese dhe ligjëruese.

Ardhja në Kosovë, sfidë në vete

“Profesorët na kanë thënë që mund ta kryejmë praktikën kudo që duam nëpër botë. Kështu, unë meqë jam lindur e rritur në Zvicër, mendova se është ide e mirë që të vij në Prishtinë dhe ta kryej praktikën, në mënyrë që ta shoh vendin tim, ta shoh si funksionon shteti, sistemi e Fakulteti i Edukimit. Bisedova me profesorin tim atje, dhe ai tha se është ide e mirë, sepse edhe ai e ka parë si mundësi që të lidhim kontakte me Kosovën, dhe më ka përkrahur”, tregon Diarta.

Ardhja në Kosovë, për të ishte një sfidë në vete. Larg nga familja, në një sistem krejt ndryshe nga ç’ishte mësuar, Diarta ia doli mbanë të ambientohet në atdheun e saj.  

Aziri tregon se këtu u përball me mungesë të kushteve elementare për studime, madje, tregon raste kur kishte përgatitur punime në formatin Power Point, por nuk kishte pasur projektor për t’i shfaqur. E pikërisht kjo, e ka shtyrë që të punojë edhe më shumë për studentët kosovarë duke gjetur zgjidhje të tjera. Mungesën e literaturës në fakultetet në Kosovë, Diarta e cilëson si problem më të madh.

“Për mua ka qenë sfidë e madhe kur e kam parë që mbanin ligjërata e nuk kishin literaturë. Më duket se librat u mungojnë për shkak se nuk kanë mjaftueshëm literaturë në gjuhën shqipe. Ky është një problem shumë i madh, se po studiojnë e nuk e kanë literaturën, kjo është një mungesë shumë shumë e madhe”, thotë ajo.

Komunikimi në mes profesorëve dhe studentëve në Kosovë, “i çuditshëm”

Komunikimi mes studentëve dhe profesorëve në Kosovë, Diartës po ashtu i ka lënë përshtypje. Ajo thotë se shpeshherë është në dilemë se kujt si t’i drejtohet. “Për shembull, atje në Zvicër, vetëm se je profesor, ndoshta je më i lartë për shkak të profesionit, por kur komunikojmë student-profesor, jemi të njëjtë. Ndërsa këtu, mes profesorëve e studentëve,  kam vërejtur një lloj distance, por nganjëherë edhe të kundërtën, për shembull kur studentët u drejtohen me “hej prof”. Ende nuk e kam kuptuar komunikimin që e kanë mes vete këtu”, thotë ajo.

Diarta po ashtu thotë që ka raste kur studentët nuk janë të përgatitur për të realizuar një hulumtim, e për këtë kritikon fakultetin që nuk i orienton sa duhet studentët. Ajo thotë se Biblioteka Kombëtare është një mundësi e mirë për të mësuar e hulumtuar, dhe u sugjeron studentëve ta frekuentojnë sa më shumë.

E pavarësisht se erdhi në Kosovë me plot vullnet, Diarta tregon se jo të gjithë profesorët e këtushëm e kishin përkrahur. Ajo veçon profesoreshën Arlinda Beka, për të cilën thotë se i ka ndihmuar shumë gjatë këtyre muajve, e madje, ia ka besuar punën edhe në një instrument matës për të cilin po punojnë.

Inkurajon të rinjtë në Kosovë të marrin fatin në dorë

Asaj i ka mbetur edhe pak kohë në përfundim të punës praktike në UP. Ndërsa para se të kthehet në Zvicër, ajo përcjell një porosi për të rinjtë shqiptarë që po duan të largohen nga Kosova. Ajo thotë se të rinjtë e kanë në dorë vendin, e për këtë i inkurajon ta ngrisin zërin për atë që u takon.

“Kur dëshpërohesh kaq shumë në një moshë të re, ke dëshirë të dalësh jashtë, por nuk është zgjidhje kjo, se nuk mund të largohemi të gjithë. Duhet të jemi realistë, e jo vetëm  të presim vizat, se vitet po ecin. Këto vite sa presin rinia, pse nuk bashkohen për ta gjetur një zgjidhje dhe të thonë që në Kosovë nuk po ecin punët si duhet, duhet të bëjmë diçka. Ky është mesazhi im. Të rinjtë po harrojnë që ata e kanë në dorë vendin, ne të rinjtë jemi e ardhmja”, përcjell Diarta.

Në fund, Diarta premton se bashkëpunimi i saj me Kosovën nuk do të përfundojë. Pas kryerjes së praktikës, ajo do të vazhdojë të punojë e të kontribuojë për Fakultetin e Edukimit të UP-së edhe nga Zvicra. Sepse dashuria për vendin iu kthye në një vullnet e mision për ta ndihmuar arsimin dhe edukimin në Kosovë.

Shans i mirë për të njohur vendin e të parëve

“Profesorët na kanë thënë që mund ta kryejmë praktikën kudo që duam nëpër botë. Kështu, unë meqë jam lindur e rritur në Zvicër, mendova se është ide e mirë që të vij në Prishtinë dhe ta kryej praktikën, në mënyrë që ta shoh vendin tim, ta shoh si funksionon shteti, sistemi e Fakulteti i Edukimit”.

Dashuria për Kosovën i kthehet në mision

Diarta premton se bashkëpunimi i saj me Kosovën nuk do të përfundojë. Pas kryerjes së praktikës, ajo do të vazhdojë të punojë e të kontribuojë për Fakultetin e Edukimit të UP-së edhe nga Zvicra. Sepse dashuria për vendin iu kthye në një vullnet e mision për ta ndihmuar arsimin dhe edukimin në Kosovë.

COMMENTS