A do t’i fillojë hetimet Aleksandër Lumezi për shokun e tij, Shpend Maxhunin

A do t’i fillojë hetimet Aleksandër Lumezi për shokun e tij, Shpend Maxhunin

NISMA E QUAN VEPRIM KRIMINAL KËTË AKT TË QEVERISË SË KOSOVËS

Dy javë pasi nga Kosova ishin rrëmbyer e dëbuar gjashtë shtetas turq, Prokuroria Speciale i kishte filluar hetimet për të zbuluar prapavijën e atij operacioni. Atëherë, u bë e ditur se në llupë të prokurorisë ishin dikur shefi i AKI-së Driton Gashi dhe ish-ministri Flamur Sefaj, e nuk flitej asgjë për Shpend Maxhunin që drejtonte Policinë e Kosovës. Tash kur po bëhen një vit prej kur ndodhi aksioni, Prokuroria Speciale nuk ka sqaruar për Express se a është zgjeruar pista e hetimeveArlena Krivenjeva

Një delegacion i Prokurorisë së Turqisë të udhëhequr nga prokurori i përgjithshëm i shtetit, Mehmet Akarca, me direktiva nga Tayyip Erdogan, ishte nisur për në Kosovë në tetor të vitit 2017-të. Në vend, këta do të sillnin një listë të personave që shteti turk i konsideronte të rrezikshëm e terroristë.

Të pritur nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, delegacioni turk dorëzoi edhe një listë me emra të dhjetëra personave të cilët kërkonin që të ekstradoheshin për në Turqi.

Kosova refuzoi të bëjë ekstradime zyrtarisht, por më 29 mars 2018, gjashtë persona, në orët e para të mëngjesit, u morën me dhunë dhe iu dorëzuan Erdoganit.

 Kryeministri i Kosovës që nga fillimi u deklarua se nuk pati asnjë informacion se kush mund të qëndrojë prapa organizimit, e pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës kërkoi edhe hetim për rastin nga kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi.

Prokuroria Speciale hetimet i nisi në prill të vitit të kaluar. Burime të Expressit kishin bërë të ditur se pjesë e pistës së dyshuar për rastin ishin vetëm AKI dhe atëherë drejtori i saj, Driton Gashi si dhe ish-ministri i brendshëm, Flamur Sefaj, i cili u shkarkua pak ditë pas skandalit.

Mirëpo, pa ferrë në këmbë, nga ky rast mbeti dikur drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, edhe pse operacioni i arrestimit dhe dorëzimit u krye nga pjesëtarë të policisë.

 Lumezi atëherë kishte premtuar se askush nuk do të shpëtonte nga hetimet për rastin, derisa shoku i tij, Shpend Maxhuni ishte shpërblyer me një pozitë edhe më të lartë në institucionit më të lartë të sigurisë në vend, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Pas fillimit të hetimeve në Prokurorinë Speciale, në Kuvend të Kosovës u krijua edhe një komision hetimor parlamentar, e pas shumë muajsh punë, deputetët dolën me 31 shkelje që sipas intervistimeve që ishin bërë kishin radhitur përgjegjësit që qëndronin prapa rastit, raporton Gazeta Express.

 Në krejt këto pika, policia e Kosovës, së bashku me AKI-në kishin bërë më së shumti shkelje gjatë procesit të rrëmbimit e ekstradimit.

 Në këtë komision madje kanë deklaruar se dihet qartazi se edhe Maxhuni kishte gisht në operacion. Megjithëkëtë, Shpend Maxhuni po vazhdon të mbetet “jashtë” sa i përket rastit të gylenistëve.

Edhe pse duhet edhe një vit për të përfunduar hetimet nga Prokuroria Speciale, raporti i hartuar në Kuvend është bashkëngjitur si shkresë e në një përgjigje për Gazetën Express, prokurori Sylë Hoxha thotë se janë ende duke grumbulluar prova.

“Ne rastin qysh prej vitit të kaluar Prokuroria Speciale e ka hap, dhe jemi në grumbullim të provave ndërkohë e kemi pranuar edhe raportin e Komisionit hetimor dhe ai raport do të jetë pjesë e shkresave të lëndës do të vlerësohet. Përndryshe ne më herët i kemi fillu hetimet paraprake”, deklaroi Hoxha.

Tutje, po shton se hetimet do të zgjasin dy vite, ndërkaq nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen se a është zgjeruar pista e hetimeve pas marrjes së raportit.

“Hetimet zgjasin dy vite, një vit pothuajse veç u mbyll ka kohë hala për hetime besoj po zakonisht ku kemi mundësi nuk i lëmë deri në momentin e fundit”, përfundoi Hoxha, pa dhënë detaje se a mund të jetë pjesë e hetimeve edhe atëherë shefi i policisë, siç edhe figuron në shkeljet e komisionit hetimor.

Përderisa nga Prokuroria Speciale nuk u bë e ditur se a është zgjeruar pista e hetimeve ku mund të përfshihet edhe Maxhuni, kryeprokurori i shtetit njihet për mbështetjen që i ka bërë këtij të fundit, edhe kur bëhej fjalë për armë e drogë.

Të paktën, kështu publikisht e kishte mbrojtur djalin e Maxhunit kur ishte kapur nga Policia, duke fajësuar për mangësi sistemin e drejtësisë në vend.

 “Askush të mos denigrohet për shkak të veprimeve të fëmijëve të tij”, ishte deklaruar Lumezi duke thënë se sipas informacioneve as arma e as droga nuk ishin të djalit të AKI-së.

Për krejt këtë operacion, Maxhuni fitoi ngritje në pozitë, e gjithashtu edhe Gashi u “strehua” si sekretar pranë presidentit të vendit, Hashim Thaçit, që injoroi të gjitha thirrjet për raportim, e dyshohet se orkestroi të gjithë ngjarjen.

COMMENTS