A u hoqën nga programi qeverisës Ushtria dhe Trepça si kusht i Listës Serbe?

qeveria

Dy çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën, ajo për Ushtrinë dhe pronësia mbi Trepçën nuk janë larguar nga programi qeverisës i kryeministrit të ri të vendit Ramush Haradinajt.

 

Të paktën kështu thonë në Zyrën e Kryeministrit, ndonëse për këto dy tema, zyrtarë të Serbisë deklaruan se u hoqën nga programi si kusht i vendosur nga Lista Srpska.

Kjo e fundit e votoi Haradinajn që të jetë kryeministër i Kosovës.Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi Marko Gjuriq ka deklaruar se Lista Srpska është obliguar se do të luftojë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Lista Srpska në Qeverinë e Kosovës ka hyrë që të ketë disa koncesione dhe “nuk është e rastësishme që nga qëllimet programore të kabinetit Haradinaj është hequr çështja e formimit të Ushtrisë si dhe pronësia e Trepçës”.

Por këtë e hedhin poshtë nga zyra e Kryeministrit Haradinaj. Arbër Vllahiu në cilësinë e zëdhënësit të AAK-së e ka quajtur të pa vërtetë lajmin se për Ushtrinë dhe Trepçën është negociuar me deputetët serbë.

“Nuk është e vërtetë”, ka qenë i shkurtër në përgjigjen e tij Arbër Vllahiu. Ndonëse për këto çështje, Gjuriq kishte deklaruar se këto tema si Ushtria dhe Trepça, tashmë as që po përmenden nga kryeministri i ri.

“Haradinaj në këtë moment nuk po e përmend shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri”, ka thënë Gjuriq.

Sidoqoftë, në ditën kur u votua për Qeverinë Haradinaj, deputetët e Listës Srpska vizituan Beogradin në mënyrë që të konsultoheshin me këta të fundit, nëse e kanë ose jo “bekimin” e tyre për ta votuar Haradinajn që të jetë mandatar i kreut të Ekzekutivit.

Por seanca për Haradinaj u vonua deri atëkohë kur Lista Serbe arriti në ambientin e Kuvendit për ta dhënë votën e tyre.Ramush Haradinaj mori besimin e 61 deputetëve për të qenë Kryeministër i Kosovës me 21 Ministra.

Të ngjashme

By