Cilësia e mishit që importohet në Kosovë është e sigurt

Cilësia e mishit që importohet në Kosovë është e sigurt

Ekonomia joformale në Kosovë, mbi 30 për qind

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë dyshime në cilësinë e mishit që konsumojnë, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës (AUVK) garanton se mishi dhe nënproduktet e tij, që importohen dhe konsumohen në Kosovë, janë të sigurta.

Por përkundër kësaj që thuhet nga AUVK vetëm brenda tre mujorit të parë të këtij viti rreth 30 mijë kilogramë mish janë asgjësuar.

E duke parë këtë gjendje qytetarët po shprehin shqetësimet e tyre për sigurinë dhe cilësinë e mishit që ata po e blejnë.

Xhemile Kutleshi ka dyshime të mëdha për mishin që e konsumojnë. Ajo thotë se nuk kanë siguri për blerje as në thertore dhe as nëpër marketet e mëdha.

“Siguri nuk ka hiq… As nuk po je i sigurt me ble nëpër thertore, as nëpër markete”, thotë ajo.

Edhe qytetari Remzi Muçolli shprehet se mishi në Kosovë nuk ka kualitetit, prandaj edhe në familjen e tij e kanë reduktuar konsumimin e mishit.

“Në përgjithësi e tërë sasia e mishit që konsumohet nuk i përgjigjet kualitetit së pari për prejardhjen e tij ne nuk dimë, këtë po e them për shkak se edhe përpara shumë sasi të mishit kanë ardhur prej Brazilit, prej vendeve të Amerikës Jugore dhe ka ndodhur që të mos jenë të kualitetit të duhur… Kurrfarë sigurie nuk kemi me të thënë të drejtën shumë pak edhe kemi filluar personalisht për konsumim të mishit”, thotë ky qytetar.

Për cilësinë e mishit që po konsumohet në Kosovës ka folur edhe profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Afrim Hamidi, i cili thotë se do të ishte mirë që të ketë kontroll më të mira qoftë të mishit të importuar, apo atij vendor.

Teknologu i ushqimit konsideron se cilësia e mishit po përshtatet me standardin ekonomik të Kosovës.

Si defekt ai e konsideron edhe zinxhirin e ftohjes, teksa thekson nevojë për shtim të inspektorëve veterinerë.

“Edhe mishi që prodhohet tek ne në bazë ditore, nëse ne nuk e ftohim shumë shpejt vjen deri tek prishja e mishit… Pak inspektorë veterinar janë të involvuar në këtë çështje. Mendoj që shteti jonë duhet me pas pak kujdes, me e nda një buxhet të madh, me punësua inspektor veterinar sepse realisht janë në numër shumë të paktë“, deklaron Hamidi.

E përkundër konfiskimeve të shumët të mishit në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit deklarojnë se mishi që importohet në Kosovë është i sigurt.

Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi thotë për Kosovpress se nga sektori veterinar janë konfiskuar dhe asgjësuar vetëm brenda 3 muajve të këtij viti mbi 30 mijë kilogramë produkte të mishit.

Ai deklaron se viteve të fundit ka një rritje më të madhe të blerjeve të mishit në vendet e Bashkimit Evropian.

“Mish i prishur nuk lejojmë me hy në vendin tonë, gjithmonë kur një ngarkesë kontrollohet aty garantohet që produkti që lejohet me hy është produkt i sigurt. Të gjithë e dinë që produktet kanë afat të qëndrueshmërisë të caktuar, përveç afatit të qëndrueshmërisë ato duhet të ruhen në kushte adekuate në kushte frigorifike dhe mund të ketë edhe kontaminim të produktit, apo prishje të produktit si pasojë e mos ruajtjes adekuate, apo skadimit të datës brenda. Sa i përket kontrollit ne nuk lejojmë që një produkt i dyshimtë të hyjë në vendin tonë dhe kudo që ne hasim produkte që nuk plotëson kushtet për konsum ne menjëherë e konfiskojmë atë produkt”, shprehet Thaçi.

Kurse, nga Dogana e Kosovës bëjnë të ditur se deri në këtë periudhë të vitit janë importuar mbi 10 mijë kilogramë mish dhe nënprodukte të tij, teksa bëhet e ditur se brenda një viti në Kosovë importohen rreth 45 mijë kilogramë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës thotë se vendi i origjinës të mishit që importohet në Kosovës është kryesisht Amerika Jugore.

“Realisht një mesatare mishit të shpezëve po ashtu edhe mishit të gjedhit është rreth 40 milionë, ka vit që e kalon 40 milionë, por kryesisht rreth 30 milionë e përbëjnë mishi i shpezëve, kurse mishi i gjedheve është rreth 10 milionë import. Vendet e importit janë kryesisht nga Amerika Jugore pasi që është edhe prodhuesi më i madh në botë dhe mund të themi se kjo mesatare ka mbi 10 vite që ka qëndruar e njëjtë në aspektin e konsumit dhe shitjes së mishit”, deklaron Stavileci.

Kujtojmë që vitin që shkoi Kosova u përfshirë në skandalin e mishit të prishur të importuar nga Belgjika.

COMMENTS