Dy qytetarë maltretohen në stacionin policor të Shtimes, suspendohen 2 policë

Dy qytetarë maltretohen në stacionin policor të Shtimes, suspendohen 2 policë

Suedi, sulm me armë në një supermarket

“Diamanti sa here nderhyjke, ju kthejshin shkelma per s’rati, une folsha, mu kthejshin mu … dikur mi kan lidh edhe komt, mkan kap mka pshtet per zidi ma ka fut shkelm …se di cili, m’ka ra n’nofull…”.

Ky është Arben Ademi i cili, që nga orët e para të së hënës, është i shtrirë në Klinikën Maksillofaciale të QKU-së dhe pret që për pak t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike, raporton KTV.

Lëndimet në trup e në kafkë, ai bashkë me mikun e tij, Diamant Hetemi, thonë t’i kenë marrë brenda Stacionit Policor në Shtime, nga së paku tre zyrtarë policorë.

Gjithçka kishte nisur rreth orës 21:00 të së dielës, ku Ademi thotë se bashkë me Diamantin kishin dalë për të festuar dhe ishin ndalur nga patrulla policore, shkaku i vozitjes e ishin udhëzuar të vazhdonin direkt për në stacionin e policisë.

“Jena shku te stacioni, ju ka ofru policve, ju ka thon sha kini o burra, ja kan nis me i godit me grushta, i kan hyp permi dy polic, mka kap stres, kom dal kom nderhy, kom desht me nxjerr prej grushtave policve, mu ka kthy njoni m’ka ra pendrek”, ka thënë Arben Ademi, banor i Shtimes.

Dhuna ndaj tyre, sipas Ademit, nuk është ndalur derisa në stacion kanë mbërritur hetues nga qendra e Ferizajt.

Versionin e Ademit e ka pohuar edhe vozitësi Diamant Hetemi, i cili gjithashtu ka marrë lëndime, por që nuk është shtrirë në spital.

Sipas raportit zyrtar, Ademi e Hetemi ishin arrestuar për vozitje të rrezikshme dhe sulm ndaj tre zyrtarëve policorë, duke u caktuar për ta ndalimi prej 48 orëve.

Megjithatë, pasi Prokuroria i kishte parë xhirimet e rastit, të dy ishin liruar në procedurë të rregullt dhe ishte autorizuar Inspektorati Policor për ta hetuar rastin, me dyshimet për tejkalim të autorizimeve nga ana e policëve.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj është njoftuar për rastin e ndodhur në oborrin e stacionit policor në Shtime, ku dy persona kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe, të njëjtit, me vendim të prokurorit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh. Ndërsa, pas shikimit të kamerave të sigurisë, të ndaluarit janë liruar me vendim të prokurorit në procedurë të rregullt dhe, njëkohësisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës për ta hetuar rastin, ku dyshohet se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre lidhur me rastin e arrestimit të të dyshuarve”, ka thënë Vjosa Baftiu, zyrtare për Informim në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Sërish, bazuar në xhirimet nga ky rast, Inspektorati ka ndërmarrë veprime.

“Hetuesit e IPK-së, në bazë të detyrës zyrtare (ex officio), kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore preliminare duke siguruar një kopje të rastit si dhe disa video-incizime nga kamerat e sigurisë. Pas këtyre veprimeve hetimore dhe analizimit të video-incizimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë incident”, ka thënë Inspektorati Policor i Kosovës.

Përveç intervistimit të personave të lënduar, Inspektorati është duke vazhduar hetimet bashkë me prokurorin e këtij rasti, për ndriçimin e rrethanave të incidentit.

Policia në Ferizaj ka konfirmuar për televizionin se e ka pranuar rekomandimin nga Inspektorati dhe ka filluar procedurat për suspendimin e zyrtarëve policorë.

COMMENTS