Efektet shëndetësore të të ftohtit ekstrem

Efektet shëndetësore të të ftohtit ekstrem

Shkencëtarët realizojnë ndërhyrje në ADN dhe ARN

Një valë të ftohti vdekjeprurës ka përfshirë Amerikën e Veriut, duke sjellë shumë dëborë dhe ngrica. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për erëra të akullta dhe ngrica në një sipërfaqe që nga Teksasi jugor dhe deri në Kanada, si dhe nga Montana dhe deri në Nju England. Edhe mjekët kanë filluar t’i paralajmërojnë njerëzit për t’u ruajtur nga plagët që mund të shkaktojë të ftohtët ekstrem dhe akulli.

Disa e shijojnë këtë të ftohtë, në veçanti fëmijët në shtetet ku nuk bie shpesh borë.

“Fëmijët po e shijojnë duke luajtur përjashta. Jemi të mësuar me mot shumë më të ngrohtë dhe kjo është stuhia e parë e dëborës për ne”, thotë Lacey Duff, banore e Savannah, Georgia, raporton VoA.

Për të tjerë, i ftohti është i rrezikshëm. Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar të paktën 20 viktima. Shqetësimi më i madh është morthi.

“Kur ka temperatura të ftohta me erëra të mesme, morthi shfaqet për 30 minuta. Në raste ekstreme, kur është shumë ftohtë dhe era është shumë e fortë, morthi mund të shfaqet edhe për 5 minuta”, thotë Dr. Christopher Sampson, i Spitalit Universitar të Missourit.

Erërat e akullta janë gjithashtu një faktor, pasi ato mund të japin ndjesinë e temperaturës -51 gradë Celcius. Morthi nuk prek vetëm lëkurën.

“Kur temperaturat bien nën zero, dhe ka erë të acartë, gjithçka ngrin. Madje edhe lëngjet që gjenden brenda gishtërinjve, hundës, veshëve. Pra, gjithçka që ekspozohet ndaj morthit”, thotë Dr. Edward Ward, i Qendrës Mjekësore të Universitetit Rush.

Zakonisht, njerëzit që preken nga morthi, kanë qëndruar përjashta më shumë seç duhej. Gjithashtu, temperaturat tepër të ulëta krijojnë akull, që shkakton rrëshqitje.

“Ky është ndoshta rreziku më i madh për njerëzit, pasi mendojnë se nuk ka zënë akull, shkelin mbi të, rrëshqasin dhe plagosen”, thotë Dr. Sampson.

Gjithashtu është e rrezikshme ngasja e makinës mes erërave të ftohta, temperaturave të ulëta, mjegullës, shiut dhe borës së rëndë. Sipas Administratës Federale të Autostradave, 22% e aksidenteve motorike në SHBA shkaktohen nga kushtet e motit. Njerëzve u kërkohet të lirojnë rrugët në mënyrë që kamionët me kripë dhe borëpastruesit të mund të kalojnë.

COMMENTS