Familjarët e të vrarëve të pasluftës: Prokurorëve po u mungon guximi për t’i kryer hetimet

Familjarët e të vrarëve të pasluftës: Prokurorëve po u mungon guximi për t’i kryer hetimet

Familjarët e Grupit të Kumanovës: Autoritetet po keqtrajtojnë të afërmit tanë

Deklaratat e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, tronditën opinionin me disa fakte për krimet e pandriçuara të pasluftës, për të cilat ai përmendi edhe emra që fillojnë nga dhënësit e urdhrave e deri te ekzekutuesit. Tash e sa vite, asnjë nga këto raste nuk është zgjidhur dhe me deklaratat e fundit familjarët kanë reaguar ashpër duke kërkuar sa më shpejtë drejtësi. Lidhur me këtë temë Express ka kontaktuar familjarë të të vrarëve, emrat e të cilëve u lakuan në emision.

Me një deklaratë të përbashkët, pas kontaktimit nga Express dolën familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj që shprehen të tronditur lidhur me pretendimet e dëshmitarit.

“Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherësh i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj” thuhet në deklaratë.

Ata gjithashtu shprehen të shqetësuar nga neglizhenca e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të Mehmetit dhe kanë bërë thirrje për prokurorinë që të merren seriozisht me këto dëshmi.

Për Gazetën Express ka folur djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, që ka bërë të ditur se ka parë mbrëmë emisionin duke thënë se emrat e mbiemrat e hetuesve dhe prokurorëve për të cilët u fol specifikisht mbrëmë janë tërhequr sepse u ka munguar guximi për të hetuar vrasje me motive politike.

Hajdaraj ka kritikuar edhe prokurorinë, duke thënë se në përvjetorin e 16 të vrasjes të ish-deputetit të Kosovës ende nga prokuroria nuk ka asnjë detaj që sjell dritë mbi këtë vrasje.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për emrat që u cekën dje duke kritikuar edhe emrat që u fshehën nga realizuesit e emisionit.

“I njoh vetëm Ibrahim e Qerim Kelmendin, të cilët pretendojnë që janë themelues të LPK-së (Lëvizja Popullore e Kosovës) dhe më vonë të UÇK-së. Disa emra u fshehën nga realizuesit e emisionit , jam shumë kurioz me ditë kush janë ata. Le të vlenë parimi i njejtë. Ndërsa , për dëshmitarin kam dëgjuar edhe me herët , sepse e ka pas nje intervistë publike ( më duket në vitin 2012?) në një gazetë ditore” tha ai.

Shpresa e fundit në këtë 16 vjetor për familjen Hajdaraj mbetet Gjykata Speciale, drejt të cilës kanë bërë edhe thirrje publike për ndriçim të këtyre rasteve.

Dje, në 19 vjetorin e vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Enver Malokut për Express ka folur edhe vajza e tij, deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku.

Maloku ka kërkuar që të zbardhen vrasjet politike, duke deklaruar se shpresojnë që Gjykata Speciale do ta trajtojë këtë rast, meqenëse hyn në juridiksionin e saj. Ajo nuk komenton hipotezat se kush mund të jetë vrasësi i babait të saj, pasi sipas saj, kjo është çështje e organeve shtetërore.

Express ka tentuar të kontaktojë edhe familjarë të Xhemail Mustafës, mirëpo të njejtët nuk pranuan të prononcohen lidhur me këtë temë.

Ndryshe, mbrëmë është transmetuar në Klan Kosova rrëfimi për veprimtarinë e një grupi të njerëzve që kryen disa nga rastet më të rënda kriminale në Kosovën e pasluftës, përfshirë këtu edhe vrasjet politike.

Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, ka akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të vrasjeve të pasluftës në Kosovë. Krahas shumë emrave të përmendur, Mehmeti akuzoi policin Fadil Syleviçi si të përfshirë në shumë vrasje.

Ai gjithashtu tha se Ibrahim dhe Qerim Kelmendi dhanë urdhër për vrasjen e deputetit të LDK’së Smail Hajdari dhe të Tahir Zemajt.

Sipas tij, vëllezërit Kelmendi kanë ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasje të deputetit të PDK’së, Xhavit Halitit, mirëpo plani për vrasjen e tij ka ngecur.

Ndër të tjerash, sipas tij, vrasja e veprimtarit të LDK’së, Xhemail Mustafës është bërë nga Agron Sylejmani.

Dëshmitari po ashtu e ka përmendur si të përfshirë në vrasjet e pasluftës edhe vëllain e Lahi Brahimajt, ish-deputet i Kuvendit, nga radhët e AAK’së.

Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasjen e policëve të UNMIK’ut në vitin 2004.

COMMENTS