Këshilli Prokurorial akuzon me fjalë Rexhep Selimin se ndihmon grupe që shkelin ligje

Këshilli Prokurorial akuzon me fjalë Rexhep Selimin se ndihmon grupe që shkelin ligje

EULEX-i me rol të ri në Kosovë

Organi që qeveris me sistemin e drejtësisë, Këshillit Prokurorial, ka lëshuar akuza me fjalë se Rexhep Selimi i ka ndihmuar forcat që nuk i kanë kontribuar sundimit të ligjit në Kosovë.

Mirëpo, sistemi prokurorial është i vetmi institucion përgjegjës për të ndjekur të gjithë personat që forcojnë grupet që nuk e ndihmojnë sundimin e ligjit, por që ky institucion nuk ka njoftuar nëse ka iniciuar hetime ndaj deputetit të Vetëvendosjes për këto akuza ndaj tij.

Këshilli Prokurorial vazhdimisht ka dalë në mbrojtje të akuzave ndaj këtij sistemi, u cili është përgjegjës për ndjekje të kryesve të krimit, fushë kjo që vazhdon të kritikohet për mungesë të rezultateve sidomos në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Pra, theksojmë fuqishëm edhe njëherë se sistemi prokurorial i Kosovës përbëhet nga institucione profesionale, të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, të cilat janë të palëkundura në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të tyre dhe janë të pandikuara nga çfarëdo pretendimi, përfshirë edhe pretendimin e fundit të pamatur, të pavërtetë dhe tendencioz të deputetit Selimi, i cili iu ka shërbyer çdoherë forcave që nuk kanë ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë”, thuhet në një reagim të Këshillit Prokurorial.

Deputeti Rexhep Selimi në RTK, ka thënë të premten se se bashkë me Qeverinë duhet të ikë edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Kur të ikë kjo Qeveri, bashkë me këtë Qeveri duhet të bëjë gati çantën edhe ky Kryeprokuror. Ky kryeprokuror është falsifakatori numër një. Çfarë mekanizmash ka krijuar ky person në drejtësi është për t’u frikësuar”, ka thënë ai.

Por, Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit ‘konsiderojnë se deklaratat e deputetit Rexhep Selimi, të dhëna në emisionin “Imazh”, në RTK, më datën 5 prill 2019 dhe gjuha e përdorur ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit, përbëjnë një gjuhë kërcënuese, të papranueshme dhe tejet tendencioze dhe kanë për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi’.

“Me këtë rast ia kujtojmë deputetit Selimi, por edhe tërë opinionit publik se pushteti gjyqësor është pushtet i veçantë dhe se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit janë institucione kushtetuese, unike, të pavarura dhe të paanshme, të ndërtuara mbi parimet kushtetuese dhe ligjore”, thuhet më tej në reagim.

KPK i ka bërë thirrje Rexhep Selimit të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore.

“Për më tepër, institucioni i Prokurorit të Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, shprehin keqardhje të madhe për joseriozitetin e deklaratave të tilla, të cilat bëhen qëllimisht pikërisht në kohën kur tërë mekanizmat prokurorialë janë vënë në veprime dhe angazhime konkrete në çështjet jetike për forcimin e zbatimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.

COMMENTS