Koha e ribërjes së Shqipërisë

Koha e ribërjes së Shqipërisë

Tri variantet që mund të prodhojnë zgjedhjet për Lipjanin!?

Nga: Ismet Hajrullahu

Mëdyshja e shtruar në këtë kohë vendimesh të mëdha ka dy opsione që përjashtojnë njëra-tjetrën: në duam një Kosovë të plotë në funksion, të cunguar në praktikë dhe jofunksionale në realitet, apo një Kosovë që do të dilte si rezultat i opsioneve të hapura jashtë çdo tabuje dhe që do të sillte një paqe të qëndrueshme afatgjate?

  1. Sigurisht se që të gjithë do të kishin pranuar një kombinim të dilemës, por kjo duket e pamundshme, sepse s’kanë thënë kot latinët e vjetër se nuk ka rregulla pa përjashtime. Opsioni i parë tashmë është i njohur. Kështu është duke frymuar që nga viti 1999. KFOR-i, i udhëhequr nga NATO-ja, nuk e integroi veriun dhe sovraniteti i Kosovës atje aspak nuk është i pranishëm. Ajo pjesë është e shkëputur. Nëse nuk kemi guximin që ta pranojmë këtë, atëherë duhet të ofrojmë mënyrë konkrete, rrugë të duhur dhe mjete të përshtatshëm se si ta kthejmë atë pjesë. Atje vepron e gjithë struktura shtetërore e Serbisë. Kështu ka qenë që tetë vjet, por askush nuk e di se si mund të ndryshojë kjo gjendje. Madje, askush nuk ka dashur që të merret seriozisht me këtë çështje. Problemi mbetet i tillë kur ai heshtet, kur nuk vihet në tryezë të bisedimeve. Debati në politikë është faza e parë e zgjidhjes së problemit. Ne nuk kemi shkelur as në fazën e parë të kësaj zgjidhjeje. Askush nuk ka dalë me një ide apo plan të menduar mirë se si do të inkuadrohej veriu në sovranitetin e Kosovës. Të gjithë e kanë lënë për nesër dhe ka rrezik që kjo e nesërme të mos mbërrijë kurrë. Klasa politike nuk dëshiron ta kujtojë këtë makth. Më lehtë e ka të bëjë politikë pa halle, duke u ikur atyre pafundësisht deri në labirintin e moszgjidhjes. Madje-madje, duke mos çarë kokën fare për këtë problem aq të madh, duke mos u lodhur se resurse mjaft të rëndësishme janë “matanë”, politikanë të caktuar marrin guximin që ta paragjykojnë çdo ide, bile edhe ato që vijnë nga qarqe serioze vendimmarrëse, me plane jo të favorshme për zgjidhjen apo për kompensimin e asaj që tani s’e kemi më në dorë.

Kur jemi ende te “Kosova aktuale”, e plagosur në gjymtyrë dhe në brendi, do të duhej të ritheksonim se Pakoja Ahtisaari vërtet ofron një formë të pavarësisë, por mbase lidershipi ynë u nxitua që pa e menduar mirë (qoftë edhe për strategji diplomatike), të ngrejë shqetësimin e drejtë se kush do ta bashkojë veriun, ku është karakteri unitar i shtetit të ardhshëm, kur brenda Kosovës komunat serbe kanë pozitën e San Marinos dhe të shteteve të ngjashme me atributet e plota të një shteti brenda shtetit? Si do të funksionojë ky shtet në aspektin e administratës qendrore, vendimeve nga disa qendra e pushteteve të përziera edhe nga jashtë; si shpjegohen “zebrat” e krijuara me të ashtuquajturin decentralizim? Për të mos u dukur se bëjmë një kthim prapa në vlerësimin e gjërave, ajo që është shikim përpara ka të bëjë me çështjen bazë se kush vërtet në të ardhmen do ta integrojë veriun brenda Kosovës?

  1. Këtu nuk kemi të bëjmë me supozime të parakohshme, sepse nuk kemi kohë për të pritur e për të parë, por tani është kohë e përqendrimit të të gjithë trurit kombëtar se cili do të ishte vendimi më largpamës në këtë kohë me përgjegjësi mbase më të madhe historike që nga viti 1912? Pyetja konkrete që mund të bëhet këtu, lidhet me faktin se kush do ta inkuadrojë veriun në kohën kur vetë NATO-ja e la atë të ndarë? Parimet e Grupit të Kontaktit mes të cilave edhe parimi se “nuk ka ndarje”, tashmë janë thyer. Janë shkelur nga vetë ata që i ngritën këto qëndrime. Tani gjithçka është e mundur, nuk ka më tabu. Këtu është përgjegjësia e madhe historike, e cila kërkon, madje, një largpamësi jo profetike, por të një analize të hollësishme se si shqiptarët ta kapin hapin e madh historik. Ne, madje, edhe mund të supozojmë gjithnjë duke menduar të shikojmë përtej asaj që shohim: çfarë do të ndodhë me veriun kur pas 10 dhjetorit do të fillonte njohja e pavarësisë së Kosovës? Kush dhe si do ta vinte atje autoritetin e shtetit të Kosovës? A do të ishte ajo pjesë një burim i përhershëm incidentesh e konfliktesh? Do ta çlironte atë trupa kosovare, apo ushtria serbe do ta okuponte atë përfundimisht? Nga kjo e fundit del edhe çështje tjetër: Cilat do të ishin ngjashmëritë dhe dallimet mes Kosovës dhe Qipros, apo Libanit etj? Me veriun shqiptarët do të humbasin shumë, përfshirë jo vetëm resurset nëntokësore, por edhe ujin e Gazivodës. Por, politika, si art i të mundshmes, duhet të masë dy gjera për të njëjtin rast: a ka mundësi ruajtja e veriut dhe si? Çështja tjetër që në vetvete ngërthen dy çështje është: nëse nuk ka mundësi kthimi i veriut, a duhet që shqiptarët të vazhdojnë të këmbëngulin më kot për gjënë e humbur, apo për këtë të kërkojnë kompensim, që do të thotë këmbim territoresh?

Dhe si çështje e tretë dhe e veçantë që shtrohet për t’u analizuar nga pala shqiptare (Prishtina e Tirana) është se a duam një zgjidhje afatgjate dhe që garanton qetësi në të ardhmen, apo duam një zgjidhje që do të shoqërohet me incidente përgjatë linjë kufindarëse ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, një paqe afatgjate apo një zgjidhje të përkohshme? Padyshim se më e parapëlqyera do të ishte zgjidhja afatgjate dhe prandaj tashmë del e qartë se pa tabu dhe me të gjitha opsionet e hapura, ka ardhur koha që shqiptarët dhe serbët të merren vesh për një kufi etnik. Politika shqiptare (Prishtinë, Tiranë) duhet që ta elaborojë në hollësi çdo skutë gjeografike dhe të jetë e gatshme edhe për këtë opsion. Mendja e politikanëve shqiptarë duhet të dalë nga korniza e dogmatizuar në dhjetëvjetëshat e fundit se duhet me çdo kusht një Kosovë e ndarë nga gjysma e trungut tjetër shqiptar. Politika shqiptare duhet të ofrojë në tavolinë zgjidhjet e elaboruara dhe të argumentuara mirë. Pyetja që duhet të marrë përgjigje është se a duhet vazhduar këmbëngulja për ta ruajtur diçka që na ka dalë nga dora, apo të kompensojmë atë humbje me diçka tjetër që më herët na është marrë? Kjo nuk do të thotë heqja dorë nga resurset aq të rëndësishme, por gjithashtu shtron dilemën e këmbëngulësisë shterpe dhe qëndrimi pragmatist për të fituar të mundshmen.

Rishikimi i kufijve në baza etnike do të ulte gjakrat në rajonin e trazuar dhe shqiptarët dhe serbët më në fund do të arrinin paqen.

Prandaj, Prishtina e Tirana nuk duhet t’u tremben varianteve të zgjidhjes, por t’i hartojnë ato sa më mirë që të jetë e mundur, sepse tani gjithçka është e mundur. Një Shqipëri, e cila do të mbërrinte në Lindje deri pranë kufirit bullgar, do t’i kthente shqiptarët në udhëkryqet e rëndësishme të Evropës. Do të ishte një ribashkim i natyrshëm dhe një ngushëllim i vonuar. Ndoshta po bie kambana e ribërjes së Shqipërisë.

(Ky shkrim është botuar më 24 gusht 2007, si editorial në gazetën “Lajm”, ku autori në atë kohë ishte kryeredaktor i kësaj gazete)

COMMENTS