Lansohet platforma Kontratat e Hapura në Komunën e Lipjanit

Lansohet platforma Kontratat e Hapura në Komunën e Lipjanit

Bastisje në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan

Komuna e Lipjanit avancon edhe një hap më tutje drejt transaprencës dhe llogaridhënies karshi qytetarëve, në bashkëpunim me Open Data Kosovo, Girls Coding Kosova të përkrahur nga UNICEF Kosovo dhe Austrian Development Cooperation gjatë ditës së sotme kanë lansuar platformën digjitale “Kontratat e Hapura”, e cila do të jetë nën administrimin direkt të zyrtarëve të Komunës së Lipjanit.


Platforma “Kontratat e hapura” iu mundëson qytetarëve të kenë qasje në të dhëna të hapura sa i përket kontrateve që lidh Komuna e Lipjanit me të gjithë operatorët ekonomikë. Këto të dhëna përfshijnë të gjithë procesin nga njoftimi për kontratë, procedura e prokurimit deri tek publikimi i plotë i kontratës së nënshkruar me operatorin ekonomik. Të dhëna rreth realizimit të kontratave do të paraqiten në kohë reale dhe do të ju mundësojnë qytetarëve që të informohen rreth statusit si: kur skadon kontrata, cili është statusi aktual apo edhe sa është paguar operatori ekonomik.


Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka vlerësuar shumë bashkëpunimin që ka pasur me organizatën Open Data Kosovo duke thënë kjo platformë do të i ndihmoj Komunës që të ketë një pasqyrë të të gjitha kontratave nga drejtoritë komunale me qëllim që këto shënime të përdoren më tutje në funksion të transparencës dhe llogaridhënies së plotë në komunë. Ai po ashtu ka theksuar se është detyrë e secilit të tregojë se ku po shpenzohet paraja publike dhe se qasja e publikut në proceset komunale është një hap i rëndësishëm që dëshmon transparencë dhe përgjegjësi.

Nga ana tjetër Blerta Thaci, Drejtoreshë Ekzekutive e Open Data Kosovo, tha se kjo platformë është pjesë e projektit Techstitution, i cili ka për qëllim që të i bëj institucionet publike më të hapura dhe transparente karshi qytetarëve dhe të fuqizoj të rinjtë në fushën e teknologjisë.

James Mugaju, Zëvendësdrejtor i UNICEF, ka falenderuar Kryetarin Ahmeti për bashkëpunimin deritanishëm në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, duke thënë se kjo platformë është me bazë në komunitet dhe si e tillë ka marrë përbazë nevojat e komunitetit. Bartës kryesor të zhvillimit kanë qenë të rinjtë dhe të rejat e Kosovës që janë trajnuar në kuadër të këtij projekti.

Ndryshe, Komuna e Lipjanit është e dyta që ka lansuar platformën e Kontratave të Hapura pas Komunës së Prishtinës, ndërsa tani së fundi Agjencia e Shoqërisë së informacionit që ka institucionalizuar këtë platformë duke e bërë atë pjesë të domenit qeveritar dhe ngritur nivelin e hapjes së të dhënave duke u bazuar në standarde ndërkombëtare.

COMMENTS