Largimi i Labinot Tahirit, mund t’i kushtojë AKR-së: PAN do t’ia marrë dy ministri?!

Largimi i Labinot Tahirit, mund t’i kushtojë AKR-së: PAN do t’ia marrë dy ministri?!

Bllokohet rruga në Lipjan (Foto)

Largimi i deputetit, Labinot Tahiri nga Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re, dhe mbetja e kësaj partie vetëm me një deputet, mund t’i kushtojë partisë së Behgjet Pacollit.

Burime të Gazetës Blic brenda koalicionit PAN kanë bërë të ditur se pas largimit edhe të Labinot Tahirit nga AKR, dhe bashkimin e tij me AAK, po diskutohet mundësia e riformatizimit të Qeverisë, gjegjësisht që AKR-së t’i merren dy ministri.

“Nga 4 ministri sa aktualisht ka AKR, po planifikohet që t’i merren dy”, thonë këto burime, ndonëse nuk japin detaje nëse Pacolli është njoftuar për këtë “ide”.

Madje, sipas këtyre burimeve PAN-i ka planifikuar që këto dy ministri t’i ndajë ndërmjet PDK-së e AAK-së.

“Pra, njërën ministri ta marrë PDK-ja e tjetrën ta marrë AAK”, thotë ky burim.

Partia e Pacollit që aktualisht ka vetëm një deputet në Kuvend, Islam Pacollin udhëheqë me këto ministri: Ministria e Punëve të Jashtme, e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, e Punëve të Brendshme dhe e Zhvillimit Ekonomik.

Nga koalicioni PAN nuk kanë dashur zyrtarisht të flasin për këtë temë.

I vetmi që ka folur është zyrtari i PDK-së, Gani Koci i cili ka thënë se Pacolli përveç degradimit të politikës së jashtme, ka mbetë me një deputet dhe udhëheq prej fillimit, padrejtësisht, me katër ministri.

“Sinqerisht, para çdo veprimi tjetër, Kadri Veseli , Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj duhet ta rishqyrtojnë pozitën e koalicionit me Behxhet Pacollin. Ky i fundit përveç degradimit të politikës së jashtme, partia e tij ka mbetë me një deputet dhe udhëheq prej fillimit, padrejtësisht, me katër ministri”, ka thënë Koci.

Gazeta Blic gjatë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga AKR, mirëpo zyrtarë të kësaj partie nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të portalit.

Ndryshe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri sot ka konfirmuar kalimin e tij në Grupin Parlamentar të AAK-së.

“Po, kam kaluar në grupin parlamentar të AAK-së, mirëpo s’jam larguar nga AKR-ja”, ka thënë gjatë ditës ai.

COMMENTS