Lipjanasja që erdhi nga Zvicra për praktikë në Kosovë, Diarta tregon përvojat e saj

Lipjanasja që erdhi nga Zvicra për praktikë në Kosovë, Diarta tregon përvojat e saj

Vdes ish-ushtari i UÇK-së Ibrahim Kozhani

Diarta Aziri tregon çka e habiti më së shumti gjatë praktikës pesë mujore në Fakultetin e Edukimit.

E lindur dhe e rritur në Zvicër, por praktikën e fakultetit zgjodhi që ta përfundojë në vendin e prejardhjes së saj, në Kosovë. Është kjo kosovarja me prejardhje nga Lipjani, Diarta Aziri, e cila është në përfundim të studimeve master në Shkollën e Lartë Pedagogjike mes Gallen-it dhe Weingarten-it.

26 vjeçarja e lindur në Schlieren të Zurich-ut, Diarta Aziri, e cila është edhe mësuese atje, për pesë muaj ka kryer praktikë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Për këtë përvojë dhe sfidat e saj gjatë kryerjes së praktikës në UP, ajo foli në një intervistë për portalin rtv21.tv.

Cili ishte qëllimi kryesor që të mbani praktikën në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës?

Unë kisha mundësinë kudo për të përfunduar praktikën, por mendova se vendi im do të ishte një zgjedhje shumë e mirë. Po ashtu, mendova se kontaktet që do të mund t`i zhvilloja atje, gjatë kësaj kohe, mund të jenë interesante për të dyja palët. Do të mësoja më mirë gjuhën amtare, mund ta zbatoja atë që kam mësuar dhe natyrisht mund të mësoja diçka të re. Për mua kjo ishte një situatë e favorshme.

Të shumtë janë ata, të cilët nuk e kuptojnë se praktika ishte një mundësi e mirë për mua. Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe është ende në fazat e hershme të zhvillimit. Ky veprim më ka bindur se është rruga më e mirë për të qenë pjesë e ndryshimeve.

Cilat janë përshtypjet tuaja nga praktika që keni mbajtur në Universitetin e Prishtinës?  – Sa e vlerësoni të dobishme këtë praktikë?

Së pari dëshiroj të theksoj shkurtimisht se jam e tronditur nga reagimet e njerëzve që jetojnë në Kosovë. Shumë nuk e kuptuan qëllimin tim, pse dëshiroja të bëja praktikën time në Prishtinë?    – Prej tyre dëgjoja vazhdimisht fjalët se këtu  nuk ka punë, këtu ju nuk do të mësoni asgjë… etj. Për mua praktika ishte një përvojë e mrekullueshme. Kam punuar aq shumë sa që shpeshherë isha e rraskapitur. Kam dhënë leksione dhe kam marrë reagime konstruktive. Natyrisht nuk i kisha materialet e njëjta në Kosovë si në Zvicër, por kjo ishte një sfidë për mua dhe më detyroi të mësoj e të përdorë edhe teknika të tjera.

Pjesa më e madhe e praktikës time ishte një hulumtim me Dr. med. Arlinda Bekën. Ne mundoheshim për të gjetur një mënyrë për të matur sa më saktë zhvillimin e fëmijëve. Ishte një detyrë jashtëzakonisht e rëndësishme për mua. Të gjithë mësuesit dhe edukatorët nga Kosova kanë nevojë për një gjë të tillë. Në këtë përpjekje m`u mundësua që të fusja përvojën, idetë dhe punën time. Ky fakt ishte një nder për mua sepse fëmijët janë e ardhmja jonë dhe ne duhet të investojmë për të ardhmen e tyre.

Çka dallon praktika në Zvicër nga ajo në Kosovë?

Nuk ka dallime të mëdha. Në fillim, së pari duhej të njihnim njëri-tjetrin dhe ti njoftoj se cili ishte qëllimi dhe ideja ime. Natyrisht se ka ndryshime mentalitetesh, por kjo thjesht është për shkak të kulturave të ndryshme. Dhe ky diversitet e begaton jetën në përgjithësi sepse përvoja, njohuritë, qasjet, interesimi edhe pse ndryshojnë është mjaft me interes për studiuesit.Mendoj se kjo lloj praktike në Kosovë është shumë e rrallë. Në fillim, kishte shumë pyetje të cilat nevojitej patjetër ti sqaroja, për të cilat në Zvicër nuk ka nevojë fare.     Megjithatë, gjatë hulumtimit në Kosovë lirisht mund të them, se kam marrë një besim dhe përgjegjësi të madhe në punën time. Në Zvicër, kjo nuk do të ndikonte edhe aq shumë. E gjithë kjo mund të përfshihet në dy-tri fjali: “Në Kosovë kisha mundësinë të ndikoja më shumë se sa në Zvicër. Arsimi në Kosovë, sa i përket qasjeve pedagogjike ka shumë nevojë edhe për gjëra elementare, të cilat Zvicra që moti i ka tejkaluar. Çdo përpjekje e re, ndihmon zhvillimin e arsimit dhe hap një rrugë të re për gjithë shoqërinë.”

Cilat janë gjërat që ju kanë mahnitur gjatë mbajtjes së praktikës në Kosovë dhe cilat janë ato që ju kanë çuditur?

Natyrisht në fillim shumë gjëra më kanë irrituar, të cilat kanë të bëjnë me komunikimin në mes ligjëruesve, komunikimin në mes lektorëve dhe studentëve si dhe me komunikimin me mua. Unë rrallë isha e sigurt se si të komunikoja dhe si të sillem me ta.  Profesionalizmi është një ndër pikat kyçe. Gjatë hulumtimit punonim me njerëz të ndryshëm. Në Zvicër, në të shumtën e rasteve, vihet një vijë e qartë midis punës dhe jetës private. Sigurisht, kjo gjithashtu përfshin mënyrën se si të merremi dhe të flasim me njëri-tjetrin. A është kjo është pozitive apo negative, për momentin nuk mund ta them. Por, nga vështrimi im është diçka e çuditshme. Gjithsesi ne e bëmë punën tonë. Ajo që bie në sy atje, është se për fat të keq, shumë pak  studiues punojnë së bashku, çdokush punon dhe hulumton për vete. Do të ishte shumë më e dobishme të punohej bashkërisht, do të veprohej më mirë, më shpejt dhe bashkërisht do të përcaktoheshin qëllimet

Cilat janë sfidat që keni hasur ju gjatë praktikës në Fakultetin e Edukimit?

Kjo pyetje është shumë e lehtë për t’u përgjigjur. Në fillim më duhej të luftoja që kërkesën time njerëzit ta merrnin seriozisht. Për fat të mirë nuk zgjati shumë dhe ata e kuptuan se unë jam këtu për të punuar dhe se pres një profesionalizëm të caktuar prej tyre.Po ashtu gjatë punës kam vënë re se disa nuk e kuptuan pozicionin tim, disa nuk deshën të kuptonin dhe disa ndjeheshin të parehatshëm me praninë time. Megjithatë, unë me të vërtetë arrita mjaft mirë të mbaj një vijë të caktuar dhe të kryej profesionalisht punën time duke komunikuar pozitivisht me të gjithë. Pas disa javësh ata përpjekjen time e morën si të vërtetë, ashtu siç e kisha menduar unë dhe në vazhdim gjithçka shkoi siç duhet. Kemi punuar shumë dhe me të vërtetë bëmë hapa të mëdhenj.

A njihni shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe që kanë kryer praktikë në Kosovë dhe çfarë do t’i sugjeronit ata?

Unë nuk e njoh ndonjë që ka përfunduar praktikën në Kosovë, por megjithatë ju rekomandoj të gjithëve që të veprojnë si unë. Mësimet që kemi mësuar këtu padyshim se mund t`i zbatojmë edhe në Kosovë. Personalisht, kam mësuar shumë. Ndonjëherë më duhej të ndalesha dhe të mendoja përse kjo teknikë, teori apo aplikim duhet përdoret. Ne duhet të bëjmë pikërisht atë në Zvicër. Kultura është e ndryshme, por kjo është sfida. Pa marrë parasysh se në cilin vend e bënë praktikën, do të duhej të përshtatet edhe pak me kulturën. Pra, edhe unë pse të mos e bëja praktikën  në vendin e origjinës së prindërve të mi? – Studentët e vlerësuan shumë punën time dhe donin të mësonin nga përvoja ime. Në hulumtim, e njëjta vlen. Si zakonisht shtrohen qartë qëllimet e një pune kërkimore, siç në çdo vend tjetër. Kështu që nuk e kuptoj pse Kosova nuk duhet të jetë një opsion?

A planifikoni ta ushtroni profesionin tuaj ndonjëherë në Kosovë? Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Unë jam mësuese në Zvicër dhe së shpejti do të përfundoj studimet Master në studimet e fëmijrisë se hershme në Zvicër dhe natyrisht shpresoj, që në të ardhmen të punoj edhe në hulumtimet shkencore në Kosovë. Thjesht sepse ka aq shumë për të eksploruar!Jam në kontakt të ngushtë me disa njerëz nga Kosova. Nëse një bashkëpunim i tillë rezulton pozitivisht do të angazhohem në këtë drejtim. Hapi tjetër është që të përfundoj studimet, të punoj dhe të merrem me projekte.

Si e shihni gjendjen e arsimit në përgjithësi dhe mësueseve në veçanti në Kosovë?

Studimet e fundit në PISA japin të dhënat e tyre. Është një rreth vicioz që ne duhet ta thyejmë. Nga kopshtet në universitete, natyrisht se ka shumë për të bërë!

Cila është porosia juaj për të rinjtë kosovarë?

Sa ju përket atyre, të rinjtë në Kosovë duhet ta kuptojnë, se duhet të punojnë për ta ndryshuar Kosovën për të mirë, pavarësisht vështirësive që i dimë të gjithë. Askush nuk do të vij t`i kryej detyrat e tyre. Kam hasur gjithmonë në një rini të shëndoshë, por e cila është shumë pesimiste, sa i përket vendit të tyre në shoqëri. Për këtë arsye disa nuk më kanë kuptuar dhe e kanë parë si dobësi vendimin tim për të ardhur në Kosovë.

COMMENTS