Nis zhvendosja e banorëve nga stadiumi i Durrësit, falënderojnë Kosovën

Nis zhvendosja e banorëve nga stadiumi i Durrësit, falënderojnë Kosovën

Takimi në mes të kandidatëve të PDK-së dhe AAK-së së Lipjanit, ishte i rastësishëm

Ka nisur zhvendosja e banorëve nga stadiumi i Durrësit “Niko Dovana”.

Qytetarët e kanë vlerësuar si pozitive faktin se po largohen në tendat, megjithatë ata ende kanë frikë nga një tërmet tjetër i mundshëm.

KTV raporton se njerëzit kanë filluar të zhvendosen nëpër hotele në zona të tjera, siç kishte premtuar qeveria shqiptare.

Ata kanë falënderuar qytetarët e Kosovës për ndihëm që ia kanë ofruar përgjatë këtyre dy ditëve.

Njëri prej tyre tha se tashmë familjen e ka dërguar në Kosovë, në qytetin e Pejës.

“Përveç që kanë sjellë ndihma të ndryshme, ata kanë marrë me vete edhe familje nga këtu për t’i vendosur në Prishtinë, Pejë, Prizren e qytete të tjera. Familja ime momentalisht është duke qëndruar në Pejë te Shpend Berisha. Nuk po na lënë në qiell të hapur vëllezërit tanë në Kosovë. Ju faleminderit”, ka thënë një qytetar nga Shqipëria.

Derisa zëvendësministri i Energjisë në Republikën e Shqipërisë, Ilir Bejtja tha se tashmë ka nisur vendosja e qytetarëve nëpër hotele të ndryshme.

Kampet po çmontohen pasi ishin emergjente, tani janë duke u sistemuar në vende të tjera ku do të kenë përkujdesje më të mirë. Ata po sistemohen nëpër hotele dhe do të rrinë nëpër këto ambiente derisa t’u ndërtohen shtëpitë e tyre. Kurse përkohësisht do të qëndrojnë edhe nëpër shkolla e palestra por që janë të pajisura”, ka thënë Bejtja për KTV.

Kurse Amir Gërguri, komandant i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ka thënë se situata sot ishte më e qetë krahasuar me dje që ishte shumë tensionuese.

“Policia është vënë në dispozion të Shqipërisë menjëherë pas asaj që ndodhi. Ne kemi ardhur t’u ndihmojmë veçanërisht qytetarëve. Dje ka qenë detyrë më sfiduese pasi menjëherë pas tërmetit situata ishte më stresuese, pasi është dashur që të organizohen dhe kam parë se janë sfiduar edhe njësitë speciale të cilët kanë rrezikuar edhe jetën e tyre. Sot ishte situata më e qetë”, ka thënë Gërguri për KTV.

Nga tërmeti në Shqipëri mbetën të vdekur vëllezërin Shemsedin e Isa Abazi nga Gjilani, varrimi i të cilëve do të bëhet nesër.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani ka thënë se nuk raportohet se ka viktima të tjera nga Kosova që janë në rrënoja.

“Qytetarët nga frika se do të ketë reshje të shiut kanë kërkuar të strehohen në shtëpitë e tyre, në Kosovë e në vende të tjera. Gjendja është shumë e rëndë, njerëzit kanë ende frikë pasi edhe sot ishte një tërmet. Qytetarët e Kosovës me të gjitha mundësitë që kanë janë duke ndihmuar. Sot ata janë dërguar në Gjilan dhe nesër do të bëhet varrimi i tyre. Nuk kemi të dhëna të tjera se ka qytetarë të tjerë nga Kosova që mund të jenë në rrënoja. Nuk dihet saktë numri i personave që janë nën rrënoja, por janë rreth 10 ende nën rrënoja”, ka thënë Hasani.

Deri më tani raportohet se numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri ka shkuar në 33, derisa qindra të tjerë janë lënduar.

COMMENTS