Niveli qendror e cilëson të paligjshëm lokacionin e xhamisë në Llugaxhi (DOKUMENT)

Niveli qendror e cilëson të paligjshëm lokacionin e xhamisë në Llugaxhi (DOKUMENT)

Me 28 nëntor përurohet sheshi dhe shtatorja e Adem Jasharit në Lipjan

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e kanë vlerësuar të kundërligjshëm vendimin e datës 30.04.2018 të KK-së së Lipjanit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llugaxhi.

Për anulimin e këtij vendimi banorët e këtij fshati kanë kërkuar zyrtarisht në këto dy ministri edhe nëpërmjet një peticioni me 150 nënshkrime me arsyetim se xhamia nuk duhet të ndërtohet afër shkollës fillore brenda fshatit.

Ndërkohë rreth kësaj çështje ka pasur edhe kërkesa të tjera nga një pjesë e banorëve për ndërtimin e xhamisë afër institucionit shkollor. Sidoqoftë, në një përgjigje të MAPL-së dërguar banorëve të fshatit Llugaxhi, thuhet se me kohë e kanë pranuar një kërkesë nga grupi i qytetarëve të fshatit Llugaxhi të komunës së Lipjanit për anulimin e vendimit 15 nr.463-28069, për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llugaxhi, të miratuar nga Kuvendi i komunës së Lipjanit në mbledhjen e mbajtur me datën 30.04.2018.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me ligjin NR.03/L-040 për vetëqeverisje lokale, pas shqyrtimit të kërkesës njofton se vendimi 15 Nr. 463-28069, për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë në fshatin Llugaxhi, është vlerësuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Andaj bazuar në vlerësimin e MMPH-së, vendimi është vlerësuar i kundërligjshëm”, thuhet midis të tjerash në shkresën e MAPL-së.

Sipas tyre pas pranimit të vlerësimit të vendimit nga MMPH-ja, me shkresë përcjellëse të datës 30.05.2018 e kanë njoftuar kryetarin dhe kryesuesin e Komunës së Lipjanit lidhur me vlerësimin e vendimit në fjalë dhe kanë kërkuar nga Kuvendi i Komunës së Lipjanit brenda 30 ditësh ta bëjë rishqyrtimin. “MAPL-ja është e gatshme të ofroi përkrahje dhe ndihmën e nevojshme për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në shkresën e MAPL-së.

Selatin Retkoceri, këshilltar i pavarur në KK të Lipjanit, njëherësh banor nga fshati Llugaxhi , ka thënë se MMPH-ja dhe MAPL-ja tashmë e kanë vlerësuar si të kundërligjshëm vendimin e KK-së së Lipjanit për caktimin e lokacionit të xhamisë në fshatin Llugaxhi. “Caktimi i lokacionit në Llugaxhi është i ndikuar politikisht dhe i pamenduar fare se cilat mund të jenë pasojat e një vendimi të tillë. Disa prej pasojave janë: Ndarja e banorëve të fshatit në dy pjesë, ata që do të kryenin ritet fetare në xhaminë e vjetër dhe ata në të renë (ndarja në sekte fetare). 2. Prishjen dhe acarimin e mardhënjeve ndërnjerzore brenda komunitetit që ndër shekuj ky fshat i ka kultivuar, bazuar në disa reagime të disa qytetarëve të pakënaqur ka pasur mundësi edhe të eskaloj situata në përmasa të konfliktit fizik dhe qërimit të hesapeve me mjete dhune”, ka thënë Retkoceri. Përveç kësaj ndërtimi i xhamisë në këtë lokacion paraqet edhe pasoja të tjera si: Lokacioni i lejuar nga KK është shumë afër shkollës fillore dhe do të ishte një pengesë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, pastaj parcela e caktuar për xhami në planin hapësinor është e planifikuar për qëllime tjera.”Kjo parcelë është e vetmja hapësirë publike e cila në planin hapësinor e strategjik i plotëson kushtet për objekt kulturor, park pushimi, teren sportiv, hapësirë e gjelbër, qendër rekreacioni por edhe për ndonjë objekt afarist nëse do të kishte kërkesë për diçka të tillë. Gjithashtu kundërshtimi i komunitetit llugaxhias është i paparë sepse brenda një dite vetëm banorët nga diaspora e Llugaxhisë kanë mbledhur mbi 150 nënshkrime kundër këtij lokacioni”, ka thënë Retkoceri. Sipas tij, intelektualët, punëtorët arsimor, diaspora e fuqishme e Llugaxhisë dhe shumë qytetar tjerë mendojnë se xhamia ekzistuese i plotëson nevojat e komunitetit fetar, andaj duhet të shqyrtohej edhe një herë në KK dhe të eliminohet caktimi i lokacionit të ri.
Lulzim Rrustemi, shef i grupit të këshilltarëve në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së ka sqaruar se vendimin i KK-së për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë në fshatin Llugaxhi nuk e kanë votuar me arsyetim se ishte i ngutshëm dhe i pa analizuar mirë. “Me kohë kemi qenë kundër sepse së pari nuk ka pasur debate të mjaftueshme me banorët e këtij fshati, prandaj tashti vendimi i MAPL-së është i arsyeshëm sepse LDK-ja sëbashku me koalicionin qeverisës të AKR-së etj, kanë vepruar mbi baza jo ligjore. Konsiderojmë se pas organizimit të debateve publike, pas shqyrtimit të hapësirës të merret vendim meritor në harmoni të plotë të ligjeve aktuale dhe në dobi të banorëve të Llugaxhisë”, ka thënë Rrustemi.
Daut Azemi, kryesues i KK-së në komunën e Lipjanit, ka deklaruar se tashmë kanë pranuar vendimet e nivelit qendror në lidhje me këtë çështje, ndërkohë do t’i përfillin rekomandimet në përpikëri. “Do të jetë në këtë seancë si pikë e rendit të ditës. Brenda ditës besoj që e nënshkruaj edhe rendin e ditës për seancën e radhës. Vendimi i nivelir qendror nuk ka qenë i jashtëligjshëm, mirëpo Ministria e Mjedisit dhe planifikimit Hapësinor ka kërkua dokumentacion shtesë që tregon se ky vendim nuk është kunder planit urban lokal”, ka thënë shkurt Azemi.
Edhe, Bukurie Zejnullahu – Jashari, zyrtare për informim në komunën e Lipjanit, ka thënë se ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përmes ministrisë së linjës ka kërkuar nga Komuna dokumentacion shtesë rreth Planifikimit Hapësinor të Komunës dhe rishqyrtimin e këtij vendimi në Kuvend. “Ky vendim është kthyer në këtë mënyrë sepse kemi disa peticione të qytetarëve të fshatit Llugaxhi për dhe kundër këtij Vendimi. Komuna e Lipjanit në seancë e radhës do t’i propozoj Kuvendit pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi deri sa banorët të jenë unik dhe të përcaktohen për lokacionin se a do të jetë ky apo do të caktojnë ndonjë lokacion tjetër”, ka sqaruar ajo.

Koha Ditore

COMMENTS