OFTAMOLOGU I AKUZUAR PËR RYSHFET, ARSYETON PSE JA MORI 150 EURO NJË PACIENTI

OFTAMOLOGU I AKUZUAR PËR RYSHFET, ARSYETON PSE JA MORI 150 EURO NJË PACIENTI

Prokuroria s’ka gjetur prova se Hashim Thaçi ka kryer tradhti kombëtare kur ka nënshkruar demarkacionin

Oftamologu në Spitalin Rajonal në Pejë, Orhan Gafurri, i akuzuar për marrje të ryshfetit, në rigjykimin e rastit ndaj tij, ka thënë se ka marrë të holla në shumë prej 150 euro, nga Ali Shabanaj, dhëndëri i pacientit, tani të dëmtuarit, Fazli Bajramaj.

Por, të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka thënë se ato të holla i ka pranuar në emër të shpenzimeve të materialit për operim.

“E pranoj se i kam marrë të hollat, por ato kanë qenë në emër të shpenzimeve të materialit për operim, i cili në atë kohë por edhe tani mungon në spital”, ka thënë i akuzuari, gjatë mbrojtjes së tij.

Në pyetjen e prokurores Sahide Gashi, i akuzuari Gafurri, ka deklaruar se rasti i të dëmtuarit Bajramaj, nuk ka qenë operacion urgjent dhe se me ligj, sipas tij, e kanë të ndaluar të marrin të holla nga pacientët.

“Ato të holla i kam marrë nga dhëndëri i pacientit, ngase e kam njohur dhe i njëjti më ka kërku që sa më parë t’ia bëjë babën operacion nga syri”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se edhe herën e parë, kur i dëmtuari Bajramaj, është operuar nga syri i majtë, në spital nuk ka pasur material për operim dhe se operacionin, thotë se ia ka bërë pa asnjë kompensim, duke shtuar se një shërbim të tillë e kishte kryer me shpenzimet e tij personale.

Gafurri ka thënë se në ambulancën e tij private e merr materialin për operim, duke shtuar se ngase atë më parë e blenë me shumicë në Shkup, pasi sipas tij, për shkak të ndjeshmërisë së materialit dhe sterilitetit, nuk mund të blihet në barnatore.

Paraprakisht, në seancën e së hënës, është dëgjuar edhe i dëmtuari Fazli Bajramaj dhe motra kryesore e Spitalit Rajonal në Pejë, repartit të Oftalmologjisë, Remzije Lipa.

Ndërsa, palët janë pajtuar që deklaratat e dëshmitarëve, drejtorit të spitalit, Skender Dreshaj, doktoreshës së oftalmologjisë, Jeta Gacaferi dhe Ali Shabanaj, të lexohen.

I dëmtuari Fazli Bajramaj, ka deklaruar se të hollat i akuzuari Gafurri, i ka marrë nga dhëndëri i tij, Ali Shabanaj, ndërsa rastin e ka paraqitur në polici pas tre muajsh.

“Rastin e kam paraqit pas tre muajve, sepse kam prit se mos po më shërohet syri, por ai nuk është shëru dhe tanimë me syrin e djathtë nuk shoh”, tha i dëmtuari Bajaramaj.

Kurse, dëshmitarja Remzije Lipa, ka deklaruar se është e vërtetë se në atë kohë nuk ka pasur material për operim në spital, por se materiali i cili duhet të blihet nga pacientët iu shkruhet në letër dhe të njëjtit e sigurojnë në barnatore.

“Rreptësishtë e kemi të ndaluar të kërkojmë dhe të marrim të holla nga pacientët, e gjithashtu edhe të fusim material në spital apo të marrim nga spitali”, ka deklaruar ajo.

Pas përfundimit të shqyrtimit të procedimit të provave, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Sahide Gashi ka deklaruar se me të gjitha provat është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar, se i akuzuari Orhan Gafurri, e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon akuza.

Ajo nga gjykata ka kërkuar edhe dënim plotësues, ndalim të ushtrimit të profesionit.

Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku, ka deklaruar se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria nuk ka arritur që me asnjë provë të vërtetojë fajësinë e klientit të tij dhe për këtë shkak, ai ka kërkuar nga gjykata që në mungesë të provave të njëjtin ta lirojë nga akuza./Betimi për drejtësi.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, ka konstatuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 15 shkurt 2018, në ora 15:00.

I akuzuari Gafurri, për vepër penale “marrje e ryshfetit”, më 21 nëntor 2016, nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale si dhe me 1.500 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 maj 2017, për shkak të ankesës së mbrojtjes, avokatit Gëzim Kollçaku dhe prokurores Gashi, e kishte kthyer rastin në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Orhan Gafurri, akuzohet se më 2 korrik 2015, rreth orës 09:05, në Spitalin Rajonal, në Pejë, në repartin e syve, si person zyrtar, doktor i oftalmologjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim për vete, në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, me kusht që ta operojë të dëmtuarin Fazli Bajramaj, nga i njëjti ka kërkuar të holla në shumë prej 150 euro.

COMMENTS