Paralizohet Franca, rreth 500 mijë protestues dalin në rrugë

Paralizohet Franca, rreth 500 mijë protestues dalin në rrugë

“DEMARKACIONI DO TË VOTOHET SONTE”

Planet e presidentit Emmanuel Macron për një skemë universale pensionesh kanë hasur në kundërshti të fortë të qytetarëve. Gjithçka është bllokuar nga greva të organizuar nga sindikatat, ndërsa është bllokuar për turistët edhe një nga atraksionet turistike në Paris, Kulla Eiffel.

Dhjetëra mijëra protestues kanë shkaktuar paralizimin e jetës në vend, ndërkohë që policia ka intervenuar ndaj demonstruesve në Paris të cilët i kanë vënë zjarrin një kafeje, semaforëve dhe disa motoçikletave elektrike.

Në protestat të përhapura në gjithë Francën marrin pjesë rreth 500 mijë protestues, ndërsa përplasje midis protestuesve dhe policisë janë regjistruar edhe jashtë Parisit.

Ndërkohë, sindikatat kanë njoftuar se greva që ka paralizuar vendin do të vazhdojë deri të hënën.

Sipas mediumeve lokale, vetëm në kryeqytet deri më tani janë arrestuar mbi 70 persona, ndërsa tashmë janë anuluar 20 për qind e flturimeve të nesërme.

Kulla Eiffel, një nga atraksionet turistike të Francës, e vizituar çdo vit nga shtatë milionë turistë, u mbyll sot për shkak të grevave masive kundër reformës së pensioneve, njoftoi kompania operatore e Kullës (SETE). “Personeli i pranishëm nuk është i mjaftueshëm për të hapur monumentin në kushte sigurie dhe pritjeje optimale për publikun”, thuhet në një deklaratë të SETE.

Lajmi është konsideruar I papritur edhe për turistët që vizitojnë këto ditë Parisin, ndërsa kanë shprehur shqetësim edhe për faktin se nuk e dinë kur monumenti do t’i rikthehet normalitetit.

“Ne dëshironim të vizitonim kullën Eiffel, por sot na thanë që është mbyllur, nuk e dimë për sa kohë do të qëndrojë kështu”, u shpreh një turist gjerman. Ndërsa një tjetër vizitor nga jugu I Francës tha se “Do të kthehemi sërish nesër, por edhe udhëtimi me tren është problem, gjithçka është bllokuar. Ne kishim organizuar pushimet, dhe kemi shpenzuar shumë para dhe tani nuk mund të bëjmë asgjë, jemi bllokuar për shkak të grevës.

Në njoftimin e kompanisë nuk saktësohet nëse monumenti do të qëndrojë i mbyllur edhe të premten, ndërkohë që mobilizimi kundër reformës së pensioneve do të vazhdojë. Kjo konsiderohet si greva më masive e viteve të fundit në Francë dhe është organizuar nga sindikatat e pakënaqura me planet e presidentit Emmanuel Macron për një skemë universale pensionesh.

COMMENTS