PDK-ja akuzon krerët e komunës së Lipjanit për keqpërdorim të parasë publike

PDK-ja akuzon krerët e komunës së Lipjanit për keqpërdorim të parasë publike

Imri Ahmeti bëhet nënkryetar i ri i LDK-së

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, po e akuzon udhëheqësinë e kësaj komune, që drejtohet nga LDK-ja, se po i keqpërdorin paratë e taksapaguesve duke i shfrytëzuar veturat zyrtare në çdo kohë e duke i parkuar ato vend e pa vend, shkruan Koha Ditore.

Rreth kësaj çështje ka reaguar nënkryetari i PDK-së në Lipjan, Lulzim Rrustemi, njëherësh shef i grupit të këshilltarëve në KK të Lipjanit, derisa dy vetura të komunës gjenden të parkuara në vendet e ndaluara në rrugën “Isa Olluri”.

“E kemi thënë edhe më herët se qeverisja e kryetarit të komunës Imri Ahmeti, gradualisht po e merr rrugën e luksit derisa ata përveç shpenzimeve të mëdha të drekave e darkave zyrtare, po shpenzojnë në mënyrë enorme edhe për karburante të veturave, madje është shumë shqetësuese se veturat e tyre vërehen të parkuara nëpër trotuare dhe nëpër vende të ndaluara me ligj. Autoritet zyrtare të komunës së Lipjani janë të thirrura dhe e kanë obligim respektimin e ligjeve, mirëpo ata janë të papërgjegjshëm dhe të papërfillshëm ndaj ligjeve. Ata që thirren në ligj e në Zot, po e shkelin ligjin me dy këmbët”, ka thënë Rrustemi.

Sipas tij, këto vetura zyrtare po keqpërdoren nga zyrtarët e komunës, andaj po keqpërdoren taksat e qytetareve nga, siç tha ai, vetë zyrtarët e papërgjegjshëm.

“Derisa po flasim, ato vetura po qëndrojnë të parkuara në rrugën ‘Isa Olluri’ pranë shenjës së komunikacionit e cila e ndalon një veprim të tillë. Çfarë kërkojnë në këtë kohë ato vetura zyrtare të parkuara kundërligjshëm derisa ekzistojnë parkingjet e lira zyrtare pranë objektit të komunës. Çfarë detyra zyrtare kanë në këto orë të vona ata zyrtar që i parkojnë veturat vend e pa vend”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër rreth kësaj çështje, Koha Ditore ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga vetë kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm. /A.A.PDK-ja akuzon krerët e komunës së Lipjanit për keqpërdorim të parasë publike

COMMENTS