PDK nuk shkon në takimet e Kryesisë, derisa Osmani ta kthejë fotografinë e Thaçit

PDK nuk shkon në takimet e Kryesisë, derisa Osmani ta kthejë fotografinë e Thaçit

Demi: Çdo 10 orë në Kosovë vdes një qytetar nga ndotja e ajrit

Partia Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se edhe sot do të bojkotojnë mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, raporton Gazeta Express.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, do ta bojkotojnë edhe sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për sic kanë thënë ata për shkak të veprimeve anti kushtetuese e anti ligjore që ka ndërmarr kryetarja e re e Kuvendit Vjosa Osmani e cila ka larguar fotografinë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës nga muri ballor në zyrën e saj, ashtu siç e parasheh Ligji për Protokollin e Shtetit.

Grupi Parlamentar i PDK-së, i është drejtuar sot edhe me një shkresë Vjosa Osmanit dhe Sekretarit të Kuvendit, duke iu bërë të qartë edhe zyrtarisht arsyet e bojkotit të mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit si veprim fillestar simbolik e politik, dhe duke kujtuar shkeljet ligjore me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës.

“Duke shprehur konsideratën më të lartë për Institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që Ju përfaqësoni, me anë të kësaj shkrese, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (këtu e tutje: PDK-së), në vijim të veprimit tuaj jo institucional dhe të pa ligjshëm për largimin e fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës nga vendi i mëparshëm në zyrën e institucionit të Kryetarit të Kuvendit, si dhe në vijim të bojkotimit të mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit, nga përfaqësuesit e PDK-së, si veprim fillestar simbolik e politik, përmes kësaj shkrese, edhe zyrtarisht ju kërkojmë që në afatin sa më të shkurtër kohor, të ndaloni së vepruari në papajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, përkitazi më këtë çështje”, thuhet në shkresën e PDK-së drejtuar Vjosa Osmanit dhe sekretarit të Kuvendit.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, ju kërkon edhe një herë, të lexoni dhe interpretoni drejt, nenin 20 të Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare Nr. 53 me datë 01.06.2009) i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 03/L235 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare Nr. 89,me datë 30.11.2010)”, thuhet në shkresën e PDK-së

“Për më tepër, në zbatim të këtij neni, si dhe bazuar në nenin 7 të Ligjit nr. 03/L235 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar edhe Rregulloren Nr. 19/2011 për kriteret e përzgjedhjes dhe vendosjes së fotografisë së Presidentit/es të Republikës së Kosovës, fushëveprimi i zbatimit të të cilës shtrihet në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës dhe udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës të cilët sipas Ligjit nr. 03/L235 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës janë të renditur në rangun 1, 2 dhe 3, ndërsa e në grupin e parë të të cilës, sipas pikës 1.1.2. rendit ekskluzivisht institucionin dhe pozitën institucionale edhe të Kryetarit të Kuvendit.

Sipas nenit 3 të kësaj Rregulloreje, udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës të cilët janë të renditur në rangun 1, 2 dhe 3 janë të obliguar që në zyrat e tyre të vendosin Fotografinë e Presidentit/es të Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e PDK-së.

“Si më sipër, duke shpresuar se do ta keni më të qartë detyrimin tuaj, nga aktet juridike të sipërcekura, Ju inkurajojmë të ktheni fotografinë e Presidentit të Republikës së Kosovës në pjesën ballore në zyrën tuaj si kryetare, dhe të distancoheni nga çasja jo institucionale dhe të mos krijoni një precedent të tillë, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në nivel të zhvillimit të jetës institucionale dhe politike në planin afatshkurtër, por edhe do të ketë pasoja afatgjate në aspektin e zhvillimit dhe kultivimit të kulturës shtetërore, kushtetuese dhe parlamentare në demokracinë tonë të re”, thuhet në shkresën e PDK-së.

PDK ka bojkotuar edhe mbledhjen e kaluar të kryesisë, derisa kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në mbledhje derisa të kthehet fotografia e presidentit./Express/

COMMENTS