PRESIDENCA FAJËSON BE-NË DHE SERBINË PËR DËSHTIMIN E DEKRETIMIT TË GJYQTARËVE E PROKURORËVE SERBË

PRESIDENCA FAJËSON BE-NË DHE SERBINË PËR DËSHTIMIN E DEKRETIMIT TË GJYQTARËVE E PROKURORËVE SERBË

Parashikimi i motit për vikend

Ka dështuar sot dekretimi i 42 gjyqtarëve dhe 14 prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, për të cilët ishte planifikuar që sot ta bëjnë betimin para presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Këtë dështim, Presidenca ia hedhë Bashkimit Evropian, duke thënë se ka treguar paaftësi në realizimin e kësaj marrëveshjeje si ndërmjetësues në këtë proces.

Gjithashtu, Presidenca për këtë gjë e ka fajësuar edhe Serbinë, duke thënë se po i pengon serbët që të integrohen në institucionet e vendit.

Komunikata e plotë e Presidencës:

Sot, më 17 tetor 2017, Zyra e Presidentit ishte e gatshme të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi.

Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.

Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt.

COMMENTS