Prishja në një gyp lë pa ujë Lipjanin

Prishja në një gyp lë pa ujë Lipjanin

Pagat në FSK, Polici dhe Zjarrfikës, sipas Projektligjit të ri

Lipjani dhe disa fshatra përreth gjatë së martës janë përballur me mungesë të ujit të pijshëm që furnizohen nga kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Banorët janë ankuar se kjo kompani nuk ka paralajmëruar për ndërprerje të ujit të pijshëm, raporton korrespondenti i Kohës Ditore nga Lipjani.

Albert Berisha, banor nga Lipjani, ka thënë se kompania e ujësjellësit shpeshherë po tregohet e papërgjegjshme ndaj konsumatorëve derisa ndërprerjet e ujit të pijshëm po paraqiten mjaftë shpesh.

“Kjo kompani gjatë sezonit veror ka pasur telashe të tilla me furnizim duke u arsyetuar se ka mungesë të ujit, ndërkaq në sezonin dimëror nuk e di cila është arsyeja e ndërprerjes. Kemi kërkuar sqarime se gjatë së martës janë paraqitur telashe të tilla, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje. Kjo kompani është e obliguar ta bën ndonjë njoftim për ndërprerje të tilla të ujit të pijshëm sepse në këtë mënyrë po vështirësohet edhe jetesa e banorëve”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër Elmi Bublica menaxher i KUR “Prishtina” në Lipjan ka thënë se një kompani private e ka shkaktuar një defekt te gypi te ish-fabrika e letrës dhe nuk po e rregullojnë defektin e tyre.

“Katet më të larta nuk kanë ujë ndërsa deri në katin e tretë të ndërtesave besoj se ka ujë. Kjo kompani e cila e ka krijuar këtë defekt nuk po e riparon atë. Ta shohim nesër çfarë zgjidhje do të bëjmë”, ka thënë Bublica.

© KOHA

COMMENTS