Procesi i vaksinimit në Lipjan krijon huti tek prindërit, kritika nga opozita

Procesi i vaksinimit në Lipjan krijon huti tek prindërit, kritika nga opozita

Një fije shprese në varr

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan e ka vazhduar vaksinimin e fëmijëve, duke respektuar rekomandimet dhe masat mbrojtëse sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Mirëpo, përcaktimi i grupmoshave prej 2 deri në 18 muaj, dhe për fëmijët parashkollorë deri në pesë vjet, ka krijuar huti dhe paqartësi tek prindërit.

“Kjo shkresa e Drejtorisë së Shëndetësisë, disi na ka shkaktuar huti, sepse ne në vitin e kaluar e kemi pasur djalin parashkollor, por nuk e kemi kryer vaksinimin. Shkaku është se sipas kalendarit të rregullt, vaksinimi duhet të kryhet në klasën e parë. Ndërkaq tash nuk po e di se a duhet ta marrim në këtë fazë apo duhet ta lëmë derisa të hapen shkollat”, ka thënë Ismajli.

Rreth kësaj çështjeje ka reaguar edhe subjekti opozitar, PDK-ja. Sipas saj, procesi fillimisht është politizuar pasi që njoftimi është dashur të publikohej dhe të përgatitej nga QKMF-ja, por jo nga Komuna.

Agon Bahtiri sekretar i përgjithshëm në PDK, dega në Lipjan, ka thënë se nëse bëhen krahasimet me komunat tjera, shihet qartë se Lipjani ka krijuar paqartësi dhe huti rreth procesit të vaksinimit.

“Nëse bëhet krahasimi me komunat tjera shihet qartë se si Komuna e Lipjanit mundohet t’i mbulojë dështimet e veta me vendime që nuk i takojnë asaj. Procesi i vaksinimit ka krijuar huti dhe paqartësi të mëdha tek prindërit, sepse fëmijët parashkollorë nuk duhet të vaksinohen por në klasën e parë, andaj sugjerojmë ekzekutivin që vendimet dhe njoftimet e tilla të bëhen nga QKMF-ja sepse mjekët janë profesionistë të kësaj fushe dhe nuk krijojnë situata të tilla”, ka thënë Bahtiri.

Në njoftimin e komunës së Lipjanit, midis të tjerash, shkruhet: “Njoftojmë qytetarët se duke filluar me datë 04.05.2020 do të ri-fillojë shërbimi i vaksinimit të fëmijëve të vegjël prej 2 deri 18 muaj si dhe fëmijët e moshave parashkollore me kapacitet të plotë, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, në të gjitha Institucionet Shëndetësore si në: QKMF, QMF dhe AMF”, thuhet midis të tjerash në njoftimin e komunës.

KOHA ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e Shëndetësisë Merita Bytyqi, e cila ka thënë se deri tash nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga prindërit ndërkohë që vaksinimi po vazhdon sipas kalendarit të rregullt.

“Ky është një ri-vaksinim për fëmijët deri në parashkollor, por jo edhe për fëmijët shkollorë. Kjo që është ndarë në grupmosha është bërë nga UNICEF-i dhe Institutit për shkak që mos të bëhet frekuentim i madh i pacientëve. Pra në këtë proces nuk përfshihet klasa e parë sepse ata janë fëmijë shkollorë. Deri tash ne nuk kemi pranuar asnjë moskuptim nga askush rreth kësaj”, ka thënë Bytyqi.

COMMENTS