“Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm pozita”

“Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm pozita”

Nëse gjërat ecin sipas parashikimeve, kosovarët mund të lëvizin pa viza këtë vit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka mohuar çdo mundësi që Qeverinë aktuale ta rrëzojë opozita.

Ajo ka deklaruar se subjektet opozitare nuk i kanë numrat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Musliu ka thënë se Qeveria mund të bjerë vetëm nëse dëshirojnë subjektet e koalicionit qeverisës.

“Qeverinë mund ta çojë në shtëpi vetëm koalicioni qeverisës, pra pozita. Asnjëherë këtë Qeveri nuk mund ta rrëzojë kjo opozitë. Besoj se për këtë janë të vetëdijshëm opozita dhe opinioni publik. Më vjen keq që opozita me këto pretendime po i manipulon qytetarët e Kosovës. Pra, rrëzimi i Qeverisë ndodh vetëm nëse ndonjëra prej partive të koalicionit qeverisës merr vendim për këtë çështje, pastaj të bashkëpunojë me partitë opozitare”.

Ajo ka deklaruar se paralajmërimet e opozitës se do të iniciojnë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë janë vetëm përpjekje sa për ta tërhequr vëmendjen e opinionit.

“Pyeti secilin deputet të opozitës se si rrëzohet Qeveria, ata do të thonë se për ta arritur këtë qëllim duhet t’i kenë 61 vota. Sikur t’i kishin këto vota ata nuk do të kishin nevojë ta rrëzonin Qeverinë, sepse do ta formonin që në fillim të mandatit, për çka edhe kanë tentuar. Kështu që, tani për tani opozita e ka të pamundur ta rrëzojë Qeverinë. Kur e kemi parasysh se ata e dinë që këtë e kanë të pamundur, kjo nismë nuk mund të quhet serioze”.

Musliu ka lavdëruar Qeverinë Haradinaj duke thënë se vetëm për tre muaj ky kabinet qeveritar ka bërë sa Qeveria e kaluar në gjithë mandatin e saj.

“E kënaqur është fjalë e madhe, mirëpo mund të them se kjo Qeveri është më dinamike dhe më në rrugë të mbarë sesa Qeveria e kaluar, e cila është udhëhequr nga LDK-ja”, ka thënë ajo.

Sipas Musliut, në këtë performancë të mirë të ekzekutivit po ndikon edhe puna e ministrave të PDK-së.

“Sa i përket anës së brendshme të PDK-së, besoj se tashmë është e qartë edhe për opinionin se PDK-ja nuk ka asnjë luhatje apo tundime brenda saj. Ajo që dihet është se gjithë ministrat e PDK-së deri më tani kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme. Besoj shumë se kjo performancë e mirë e tyre në të mirë të vendit do të vazhdojë deri në fund të mandatit”.

COMMENTS