Rrëfimi befasues i astronomit të Harvardit: Alienët na kanë gjetur!

Rrëfimi befasues i astronomit të Harvardit: Alienët na kanë gjetur!

Aeroporti fantazmë i Qipros (Foto)

Më 19 tetor të vitit 2017, astronomët e Universitetit të Harvardit pikasën një objekt të çuditshëm që udhëtonte në sistemin tonë diellor. Ata e përshkruan si një asteroid të kuq dhe ekstremisht të zgjatur. Ishte hera e parë që pikasej një objekt ndëryjor në sistemin tonë diellor: shkencëtarët e quajtën Oumuamua, një fjalë havajane për ‘lajmëtari’.

Tetorin e një viti më pas, Avi Loeb, drejtuesi i departamentit të astronomisë në Universitetin e Harvardit publikoi një studim së bashku me Shmuel Bialy, ku shqyrtohej mënyra se si lëvizte Oumuamua, duke sugjeruar se objekti mund të ishte një sondë hapësinore e dërguar qëllimisht pranë Tokës nga një civilizim alien. Loeb ka pasur vazhdimisht një interes për jetën aliene dhe së fundmi u bë i famshëm pasi sugjeroi se mund të komunikohet me alienët që kanë dërguar këtë sondë. “Nëse janë paqësorë, mund të mësojmë prej tyre,” tha ai.

Ja çfarë thotë në një intervistë për revistën New Yorker.

Shpjegimi juaj se Oumuamua mund të jetë një anije alienësh nuk kuptohet kollaj nga njerëzit e zakonshëm. Pse mendoni kështu?

Ka një artikull të publikuar në ‘American Scientific’ ku përmbledh gjashtë fakte të çuditshme për Oumuamua. I pari është që ne nuk prisnim që të ekzistonte një objekt i tillë. Ne e shohim sistemin diellor dhe bëjmë përllogaritje për mënyrën se si lëvizin objektet e ndryshme. Përllogaritjet ofrojnë shumë mundësi, por asnjëra nuk e shpjegon zbulimin e Oumuamua. Ka edhe një fakt të çuditshëm për këtë objekt. Kur sheh yjet pranë diellit, ata lëvizin drejt tij, dhe dielli drejt tyre, por jo kaq ngadalë sa Oumuamua. Nëse ky objekt vjen nga një yll, atëherë ai yll duhet të jetë shumë i veçantë.

Çfarë faktesh të tjera të çuditshme ka?

Kur u zbulua për herë të parë, kuptuam se rrotullohej njëherë në tetë orë dhe ndriçimi ndryshonte të paktën nga një faktor në dhjetë. Fakti se ndriçimi ndryshon në këtë mënyrë, do të thotë se objekti është dhjetë herë më i gjatë se i gjerë. Ne nuk kemi foto, por në të gjithë ilustrimet e artistëve ajo duket si një cigare. Është një mundësi. Por mund të jetë edhe si petull.

Çfarë do të thotë kjo si petull…

Prit. Fakti më i pazakontë është se devijon nga një orbitë që merr formë plotësisht nga forca gravitacionale e diellit. Zakonisht, në rastin e kometave, një devijim i tillë shkaktohet nga avullimi i akullit në sipërfaqen e kometës, duke krijuar gazra që shtyjnë kometën, njësoj si efekti i raketave. Prandaj kometat shfaqen me bishtin e gaztë. Por tek ky objekt nuk shohim një bisht të tillë, e megjithatë shohim devijim nga orbita. Kjo është pikërisht arsyeja që nxiti studimin. Pasi e kuptuam se objekti lëviz ndryshe nga sa e kishim pritur, pyetja ishte se çfarë e shtyn këtë lëvizje. E meqë ra fjala, pasi publikuam studimin, erdhi një tjetër studim që tregonte kufizime të molekulave me bazë karboni pranë objektit.

Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë se nuk ka prova të gazit pranë objektit. Kjo na sugjeron se nuk është as si një kometë dhe as si asteroid. Në fakt është diçka që nuk është parë në sistemin tonë diellor. Ka një gjeometri kaq ekstreme sa vetëm një forcë tjetër mund ta shtyjë. Pyetja është se kush e ofron këtë forcë.

E vetmja gjë që më vinte ndërmend është që ndoshta e bën drita e diellit. Kur ajo kërcen në sipërfaqe, mund të japë një shtysë ekstra. Kështu që bëmë kërkime dhe zbuluam se objekti duhet të jetë 1 milimetër që kjo të funksionojë. Kështu që gjasat janë që objekti shtyhet me mjete articifiale, nga një civilizim teknologjik.

Më duhet të them gjithashtu, sa për informacion, se nuk e shoh si spekulim mundësinë e ekzistencës së civilizimeve të tjera teknologjike për dy arsye. E para, sepse ne ekzistojmë. Dhe e dyta sepse të paktën një e katërta e yjeve në galaksinë e Udhës së Qumështit janë si Toka, me kushte në sipërfaqe të ngjashme me Tokën. Nëse i hedh zarat sa të duash, dhe meqë janë miliarda yje në Udhën e Qumështit, ka shumë mundësi që nuk jemi vetëm.

COMMENTS