Shteti ku transparenca është “religjion”

norv-780x439

Në Norvegji, me disa klikime në Facebook mund të mësoni se sa fitojnë kolegët e sa zyrtarët shtetërorë… Kjo për faktin se norvegjezët paguajnë tatime të larta dhe duan të dinë se ku shpenzohen paratë e tyre.

 

Që në vitin 2001, të ardhurat, pagesat e taksave dhe pronën e qytetarëve, Norvegjia e publikonte në internet.

“Tash në mënyrë automatike mund ta dini se sa fitojnë miqtë e tu në Facebook, posa lidheni në këtë rrjet social”, thotë Tom Staavi, gazetar i ekonomisë, i cili shton se transparenca është me rëndësi, pasi norvegjezët paguajnë tatim të lartë në të ardhura (mesatarisht 40.2 për qind, derisa mesatarja në BE është 30.1 për qind). “Kur ju ndani aq shumë doni ta dini se këtë e bëjnë të gjithë dhe se paratë tuaja shpenzohen si duhet. Duhet të kemi besim në sistemin e taksave dhe sigurinë sociale”.

Ai thotë se këto fakte janë më të rëndësishme sesa brengat për dikë që paguhet më shumë se ju, pasi Norvegjia është një nga shoqëritë më të drejta kur është fjala te paga. Në shumicën e vendeve të punës, njerëzit edhe pa detaje të tilla kanë mundur ta dinë se sa paguhen kolegët. Në shumicën e sektorëve, pagat rregullohen me marrëveshje kolektive dhe dallimet në mes të punëtorëve dhe menaxherëve janë relativisht të vogla. Përveç kësaj, Norvegjia është e pesta në listën e 144 vendeve kur është fjala për dallimet e pagave mes burrave dhe grave.

Edhe pse të dhënat për pagat nuk befasojnë askënd, Staavi dhe ekspertët tjerë kanë kërkuar që Qeveria të instalojë ca kufizime: jo që të fshihen pagat, por që njerëzi mendojnë dy herë para se të “spiunojnë” të tjerët.

Kështu, në tri vitet e fundit, për të parë të dhënat e tatimit, duhet të identifikoheni në sistem me numrin tuaj personal.

“Që nga viti 2014 ju mund të shihni se kush po i kërkon të dhënat tuaja”, thotë eksperti i tatimeve, Hans Christian Holte.

Para kësaj, në shtetin me afro tre milionë tatimpagues nga 5.2 milionë banorë, kishte 16.5 milionë kërkime në vit. Qëkur është shfuqizuar anonimiteti, numri i kërkimeve ra në dy milionë. /Telegrafi/

Të ngjashme

By