Shukri Buja tregon se kush do të jetë i akuzuar nga Specialja

Shukri Buja: I gjithë lajmi është spekulim i gazetarisë

Shukri Buja thotë se nuk e di nëse do të jetë i akuzuar i Gjykatës Speciale. Emri i tij, një ditë më parë doli në media si pjesë e grupit të parë të të akuzuarve nga kjo gjykatë që do të ndjekë pjesëtaret e UÇK’së, që pretendohet se kryen krime. Ish-komandanti i Zonës së Nerodimës bën thirrje që publikuesit e listave të të akuzuarve t’i tregojnë burimin e tyre.


Emri i ish Komandantit të Zonës Operative të Nerodimës, Shukri Bujës është lakuar së fundi se mund të jetë njëri ndër të parët ish udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të ulët në bankën e të akuzuarit në Hagë.
Bashkë me të, ndër të parët, sipas mediave thuhet se do të jenë edhe ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK’së Sokol Dobruna e Daut Haradinaj.
Sipas këtij shkrimi të bazuar në burime, Buja pritet të akuzohet për rolin e tij në disa krime gjatë dhe pas luftës, mes tyre është një sulm mbi një familje shqiptare në Godanc të Lipjanit.
Por, të gjitha këto i ka hedhur poshtë vetë Buja në një prononcim për Gazetën Express.
“Unë nuk po them që janë shpifje ose lojë politike, por po them që nëse ka informacione le t’i qesin, por jo të thirren në burime qysh po thirren. Pse i qesin këto informacione e din ata, nuk i di unë. Edhe tek e fundit pse i shqetëson familjet pa pasur asnjë informacion asnjë fakt”, ka thënë Buja.
“Insajderi i ka nxjerr këta emra, ata duhet me dit pse i kanë nxjerr këto edhe kush ja u ka dhënë atë porosi. Këtë pyetje duhet me ja shtru, kah po i marrin këto informacione”, ka shtuar Buja
Ai e ka bërë të qartë se nuk do të komentoj lakimin e emrit të tij si i dyshuar i mundshëm, derisa këtë nuk e bënë vetë Gjykata Speciale.
“Unë nuk i komentoj ato, përderisa Gjykata Speciale në prononcimet e tyre kanë thënë se nuk i japin emrat sepse ende nuk i dimë, Madje thuhet se veç Prokurori i din këta emra, atëherë del që Insajderi i din”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, sipas informatave jo zyrtare, aktakuzat e parë nga Zyra e Prokurorit të specializuar në Hagë, pritet të shpallet menjëherë pas shënimit të dhjetë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

COMMENTS