Të përçarë karshi Serbisë

Të përçarë karshi Serbisë

22 Tetori, dita e triumfit te madh dhe rekordeve te Imri Ahmetit

Shkruan: Linda Shahini

“Anija që ka shumë kapitenë fundoset”,- është një fjali e urtë popullore, dhe e cila përshkruan qartë gjendjen e Kosovës në dialogun me Serbinë. Nisur nga situata e fundit, kur Kryeministri nuk pranoi përgjegjësitë e veta për dialogun, Presidenti që nuk përfilli askënd dhe realizoi takime me palën e kundërt, pa asnjë konsultim paraprak, në anën tjetër një ekip negociator i përbërë nga dy persona dhe pa rol kushtetues dhe një opozitë e ndarë në parlament, tregoi qartë se “anija” e dialogut me Serbinë është pothujase drejt fundosjes.

Që kur ka filluar dialogu në vitin 2011, Kosova asnjëherë nuk ka qenë e unifikuar në qëndrimet e saj. Gjuha jo e përbashkët nga liderët politik dhe mos konsultimi i brendshëm gjithëpërfshirës e kanë shoqëruar këtë proces që nga fillimi. Kjo mangësi i ka kushtuar shumë Kosovës dhe ka zbehur dukshëm pozitën e saj në tavolinën e bisedimeve karshi Serbisë. Liderët në Kosovë, asnjëherë nuk u bashkuan me një zë, ndonëse është e vetmja mënyrë për të dalë fitues në përmbylljen e këtij procesi. Pra, Kosova në bisedime hyri e papërgatitur, pa koordinim të brendshëm se çfarë duhej të diskutohej në këto bisedime, kushtet mbi të cilat Kosova do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë dhe çfarë priste në fund të këtij procesi.

Për këtë arsye, thuajse secila marrëveshje ose raund  i bisedimeve është përcjellë me protesta, akuza e kundër akuza të ashpra në vend. Në prillin e vitit 2013, kur Kosova nënshkruajti marrëveshjen e parë, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, u shfaqen shumë përçarje të brendshme në skenën politike. Kjo marrëveshje, e cila ndër të tjera parasheh integrimin e komunitetit serb dhe shuarjen e strukturave paralele, krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me kompetenca të veçanta në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, etj, shkaktoi mospajtime të mëdha ndërmjet liderëve të Kosovës.

Edhe pse Bashkimi Evropian, e cilësoi këtë marrëveshje si fitore për të dyja vendet nënshkruese, në Kosovë u kundërshtua fuqishëm përmes protestave masive nga disa parti opozitare. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte pika kryesore që shkaktoi dallime të thella, brenda politikëbërjes kosovare. U vlerësua se një pakt i tillë me Serbinë do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës dhe vendi do të bëhej një Bosnje e dytë. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në Kuvend për rrjedhën e këtij procesi nga ana e udhëheqësve të Kosovës, ka ndikuar gjithashtu që asnjëherë të mos ketë koordinim dhe komunikim të brendshëm politik për dialogun. Edhe mbyllja e Bashkimit Evropian për të informuar publikun, për rrjedhën e këtij procesi, i ka kontribuar pakënaqësive të skenës politike në Kosovë. Konsultimi i gjerë mungoi edhe me shoqërinë civile, prandaj pati kritika edhe nga ana e tyre. Ato vlerësuan se marrëveshja e asociacionit nuk ishte nënshkruar në parim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kishte kompetenca më shumë se sa një OJQ.

Vazhdimi i së njëjtës retorikë komunikuese edhe në vitin 2017, kur qeveria e re e delegoi procesin tek Presidenti, nuk e ndihmoi shumë procesin e bisedimeve me Serbinë dhe nuk përafroi qëndrimet skenës politike të vendit. Mirëpo në këtë fazë, një gjuhë e lehtë komunikuese u gjet ndërmjet disa liderëve politik. Kjo ndodhi sepse, Presidentit i Kosovës Hashim Thaçi, si zgjidhje përfundimtare propozoi korrigjimin e kufijve, ide kjo që erdhi si rezultat i një sërë takimesh me Presidentin serb Vuçiq. Por, kundërshtimi i fuqishëm i kësaj ideje nga opozita, madje edhe nga disa parti në pushtet, por edhe publiku në përgjithësi e ndryshoi rrjedhën e dialogut. Përkundër që u tentua të formohej një ekip uniteti, nuk funksionoi.

Mos gjetja e konsensusit të përbashkët nga ana e liderëve tonë, për dialogun, ka ndikuar negativisht për Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht bisedimeve që po zhvillonte Presidenti i Kosovës me homologun e tij serb, për shkak të fushatës së egër serbe, Kosova dështoi të pranohej edhe në disa organizata ndërkombëtare dhe të humbë disa njohje. Kësaj fushate, Kosova iu përgjigj me vënien e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina. Edhe pse dialogu që disa muaj është bllokuar, procesi i zhvilluar deri tani mund të konsiderohet pothuajse i dështuar, sepse mbi 90% e marrëveshjeve të arritura nuk janë zbatuar nga pala serbe.

Nga përfaqësuesit tonë, në këto bisedime asnjëherë nuk është diskutuar për krimet dhe dëmet e Serbisë në Kosovë, personat e pagjetur dhe viktimat e dhunës seksuale etj. Kritikët vlerësuan se përfaqësuesit tonë, meqenëse ishin të papërgatitur për këtë proces, pranuan çdo sugjerim, madje edhe pazare të dëmshme politike për vendin. Me një përçarje të brendshme politike, pa një konsultim të gjerë brenda, Kosova rrezikon të humbë shumë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Kjo situatë rrezikon ta dërgojë vendin drejt kompromiseve të dhimbshme.

Kështu Serbia nuk do të jap përgjegjësi për krimet dhe dëmet e bëra gjatë luftës në Kosovë dhe nuk do të dimë asgjë për fatin e personave të pagjetur. Andaj, tash kur po kërkohet më shumë se kurrë që të arrihet një marrëveshje, Kosovës i duhet bashkim i brendshëm për vazhdimin e këtij procesi. Liderët politik duhet të lënë anash inatet dhe dallimet politike dhe të bëhen bashkë për hir të interesit të përbashkët shtetëror.

Zgjatja e procesit të dialogut ka lënë nën hije problemet e brendshme të vendit si: papunësinë, ekonominë e dobët, arsimin, shëndetësinë etj. Prandaj duhet unitet për mbylljen e këtij procesi. Mirëpo, nuk duhet harruar që uniteti nuk do të thotë rreshtim karshi një qëndrimi ose personi të vetëm dhe me nguti për të mbyllur sa më parë këtë proces. Unifikimi do të përfshinte qëndrime dhe punë të përbashkët ekipore me synime të qarta.

Skenën politike në Kosovë do ta bënte bashkë një dialog me parime dhe kërkesa të listuara, këto parime dhe kërkesa do duhej të hartoheshin në bashkëpunim me të gjitha partitë politike parlamentare në Kosovë, të inkorporuara në një platformë të përbashkët. Këto parime apo kërkesa do ishin: analizimi i procesit të deritanishëm të dialogut, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kthimi i të pagjeturve, dëmshpërblimi për dëmet e luftës, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës.

Përveç kësaj në dialog duhet të përfshihet domosdoshmërisht edhe mendimi Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe shoqërisë civile. Zëri i përbashkët i liderëve të Kosovës, do ta forcojë pozitën e saj në dialogun me Serbinë në Bruksel, do ta ndihmojë atë në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe në sjelljen e drejtësisë për secilin dëm dhe viktimë gjatë luftës.

COMMENTS