Thaçi në “Council on Foreign Relations”: Mbështetja e Washingtonit është vitale për Kosovën

Thaçi në “Council on Foreign Relations”: Mbështetja e Washingtonit është vitale për Kosovën

Lumezi tregon se a kanë nisur hetimet për falsifikim të hartave të demarkacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, duke folur për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Uashingtonit është vitale për Kosovën.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dal fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike.Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, shtoi ai.

Në këtë bashkëbisedim, presidenti Thaçi ka pranuar pyetje edhe nga audienca.

James Pardew, diplomat amerikan dhe një nga përfaqësuesit e SHBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, pyeti për çështjen e korrigjimit të kufirit.

Në përgjigjen e tij, presidenti Thaçi u shpreh se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë sigurisht do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”.

“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh ai.

“Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, pohoi presidenti Thaçi.

Pjesëmarrësit e tjerë kanë pyetur edhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë, për të cilat presidenti Thaçi theksoi se janë storie të suksesshme, por se vazhdimi i suksesshëm i tyre varet nga krijimi i stabilitetit politik.

“Prandaj na nevojitet marrëveshja e përhershme e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i hapë rrugë reformave, zhvillimit dhe transformimit pozitiv të tërë shoqërisë”, përfundoi presidenti Thaçi, thuhet nw komunikatwn pwr media./Indeksonline/

COMMENTS