Ulpiana e mirë dhe Ulpiana e keqe (1)

Arian-Duriqi-1

Para rreth 3 vjetësh (kujtoj se ishte viti 2014 dhe muaji gusht) me vjen një telefonatë rreth mesditës nga Ali Stublla, atëkohë kryetar i KF Ulpiana. Pas përshendetjeve të zakonshme miqësore më fton te zyrja e tij.
“A mund të vish deri te zyret e mia kemi për të diskutuar disa gjëra të rëndësishme për klubin (Ulpiana)”, më thotë Stublla.
“Në këtë takim a duhet të vijë unë vetë, apo mund ta marrë me vete edhe mikun tim, Arian Dragacinën”, e pyes unë atë.
“Kam besim te ti. Ejani bashkë lirisht, ju pres”, përfundoi muhabetin në telefon Stublla.
Natyrisht se gjëja e parë që bëra kontaktova Arianin tjetër, u dakorduam dhe u nisëm për takim së cilin as nuk e projektonim, as nuk e imagjinonim dot se si do të rridhte, sepse nuk dihej saktë qëllimi. Pas gjysmë ore diku arritëm në zyrën luksoze të Ali Stubllës, zyrë kjo e kompanisë së tij dhe jo e klubit. Me Aliun unë njihem kaherë dhe gjatë gjithë viteve të miqësisë së madhe me të kemi kaluar vetëm gjëra të këndshme, humor pandërprerë dhe muhabete sporti pa kufi. Ai gjithmonë më thoshte se mbante ende të freskëta lojërat dhe golat e mi në fushë në kohën kur ai udhëheqte klubin. Ndërkohë që, edhe unë nga ana tjetër mendoj thellë se një kryetar klubi si Ali Stublla nuk do të përsëritet më. Ka dhënë gjithcka që mund të jepet për klubin dhe nuk ka marrë asgjë.
“T’i kthehemi temës”, tha Aliu, derisa po thurnim lavde për njëri – tjetrin.
“Unë kam vendosur të largohem nga klubi për arsye personale dhe të vetmit njerëz së cilëve mund t’ia dorëzoj në këto momente klubin je ti Arian Duriqi dhe ti Arian Dragacina. Po nënshkruajmë marrëveshje vullnetare për bartjen e menaxhimit të klubit te një bord i përkohshëm që e caktoni ju të dy dhe pastaj ju e organizoni edhe kuvendin”, na tha Stublla, duke zbuluar vendosmërinë e tij të largohet nga klubi për shkak të shumë angazhimeve të tij në biznes.
Edhe unë, por edhe Ariani tentuam t’ia kthejmë mendjen, por ishte e kotë. Hartuam bartjen e menaxhimit, e nënshkruam dhe mori fund gjithcka. Aliu u largua nga klubi, ndërsa barra për menaxhim dhe riorganizim na mbeti mua dhe Arianit. E formuam një bord të përkohshëm menjëherë. Pas konsultimeve të gjata mes nesh vendosëm që në bord të përkohshëm deri në organizimin e kuvendit t’i fusim edhe Gazmend Selimin, Arben Nuredinin dhe Yll Jasharin. Për mua kjo nuk ishte zgjedhja më e mirë, mirëpo meqë Arian tjetër insistoi shumë në këta emra i pranova edhe unë. Do të thotë që, nëse nuk doja unë asnjëri prej atyre të treve nuk do të ishte pjesë e klubit. Shkoi si shkoi kjo pesëshe organizoi brenda pak kohësh edhe kuvendin pas së cilit dolën organet e reja.
Bordi i votuar në kuvend ishte ky: Blerim Duriqi, Arian Dragacina, Lulzim Gashi, Arian Duriqi, Arben Nuredini, Yll Jashari, Blerim Kolshi, Alban Arifi, Abedin Salihu, Samir Krasniqi dhe Arton Retkoceri.
Më duhet pranuar se në Kuvend kishte lëshime. Për shembull, nuk ishin përfaqësuar pothuajse të gjithë punëtorët sportivë të Lipjanit, kjo më shumë për faktin se brenda Bordit të përkohshëm që po organizonte Kuvendin kishtë persona që kishin të papëlqyer për të ftuar Kuvend.
Rrodhi si rodhi Kuvendi u mbajt me polemika, me ndërskamca dhe pretendime për të minimizuar dhe rrëzuar punën e Bordit të përkohshëm. Janë të freskëta kujtimet kur dilnin në pah në Kuvend edhe para kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, pretendimet për ta “vjedh” klubin nga Bordi i përkohshëm. Nuk e përjashtoj asnjëherë bashkëpunimin e ndonjë anëtari nga Bordi Përkohshëm me grupin “rebelues”.

Pjesa e dytë: Cfarë hilesh u tentuan të bëhen pas Kuvendit. Pse afaristët e Bordit ofronin fjalë dhe jo para për klubin. A ishte këtu pikënisja e dështimit të një starti të mirë. Pse më pas Bordi u reduktua në 5 vetë dhe pa afaristë. Pse kryetari sapozgjedhur i klubit nisi bashkëpunimin me ata që nuk e donin në klub dhe ikte nga ata që e sollën në klub? Të gjitha detajet në pjesën e dytë të vazhdimit me titull “Ulpiana e mirë dhe Ulpiana e keqe”.

Të ngjashme

By