Vizita e Haradinajt në Amerikën, rikthen atë në protagonist të dialogut me Serbinë

Vizita e Haradinajt në Amerikën, rikthen atë në protagonist të dialogut me Serbinë

Pushteti mbron “peshqit” e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Ka kohë që kryeministri i vendit Ramush Haradinaj është përballur me refuzimin e vizës amerikane, mirëpo pas shumë përpjekjeve një gjë e tillë më në fund është realizuar.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, ka udhëtuar këtë fund javë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), ku edhe do të marrë pjesë në disa aktivitete.

Këtë vizitë Haradinaj është duke e bërë me ftesë të Komunitetit Katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Lajmin për arritjen në Detroit e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një fotografie të postuar në Facebook.

“Sapo kam arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Detroit, ku do të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, me ç’rast do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, autoritete të Detroit-it dhe zyrtarë tjerë të ShBA-së”, ka shkruar dje Haradinaj.

Vizita e Haradinajt në Amerikë është duke u cilësuar një lajm i mirë për Kosovën.

Sipas analistit të çështjeve politike në vend, Fisnik Halimi, vizita e kryeministrit në SHBA është një shenjë se ai e ka gjetur rrugën për t’u rikthyer si protagonist në skenën e negociatave Kosovë-Serbi.

Halimi është i bindur që kjo vizitë është lajm i mirë edhe për vet kryeministrin, pavarësisht se sipas tij, mund të ketë edhe takime të paparalajmëruara.

“Vizita e kryeministrit Haradinaj është një lajm i mirë për Kosovën fillimisht dhe për vet kryeministrin në radhë të dytë. Pavarësisht nëse agjenda e tij do të ketë edhe takime tjera të pa paralajmëruara ne agjendën zyrtare të kryeministrit. Mendoj se kjo vizitë tregon që zoti Haradinaj ka gjet rrugën për t’u rikthyer protagonist në skenën e negociatave Kosovë- Serbi”.

Vizitat e më hershme të Haradinajt në Amerikë ishin anuluar shkaku i mos pajisjes me vizë amerikane. E gjithë kjo ishte ndërlidhur me këmbënguljen e këtij të fundit për mos pezullimin e taksës të vendosur vitin e kaluar ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Taksa ndaj produkteve serbe, thotë Halimi, ka qenë dhuratë për presidentin “millosheviqan serb”, Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se tashmë tarifa doganore ka shkaktuar efektet e veta negative për Kosovën dhe ato dëme do të mund të jenë afatgjata. Tarifa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake ka vendosur politikën serbe në epërsi ndaj asaj kosovare në raport me partnerët tanë strategjik ndërkombëtar. Ne anën tjetër efekt ekonomik taksa nuk ka shkaktuar asnjëherë dhe rezultati ka qenë një dhuratë e papritur për presidentin millosheviqan serb, Aleksandar Vuçiq”, thotë Fisnik Halimi për Indeksonline.

Edhe heqja e saj, sipas Halimit, do të shkaktonte disfatën e dytë politikës kosovare.

“Duhet theksuar edhe një herë, në të mirë të informimit të drejtë se tarifa ka qenë produkt i më shumë protagonistëve dhe bashkëfajtorët për dëmet e shkaktuara janë të shumtë. Tash tarifa edhe mund te hiqet por si një disfatë e dyfishtë e politikës kosovare”, shtoi më tutje ai.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve në vend, Ramush Tahiri, thotë se SHBA do të ishte mirë që të ftonte Kryeministrin Haradinaj në një vizitë shtetërore.

Sipas tij, viza amerikane për kreun e Qeverisë nuk ndërlidhet me taksën e vënë ndaj produkteve serbe dhe bosnjake.

“Kjo vizitë është si çdo vizitë tjetër private në SHBA veç që tash kemi të bëjmë me një kryeministër të Republikës së Kosovës i cili shkon jo me ftesë zyrtare dhe i cili nuk pritet dhe përcillet me eskortë dhe me ceremoni shtetërore. Pra, viza amerikane për Haradinajn nuk ndërlidhet me taksën e vënë nga Qeveria për mallrat që importohen nga Serbia e Bosnje e Hercegovina. Në SHBA do të ishte mirë që për vizitë shtetërore të ftohej Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe si ishte shprehur më herët Haradinaj të takohej e bisedonte me Presidentin Donald Trump”, tha Tahiri për Indeksonline.

Kreu i ekzekutiviti ka qenë i ftuar të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Washington, të mbajtura në shkurt të këtij viti, mirëpo pjesëmarrjen në të cilën e kishte të pamundur shkaku i vizës amerikane.

Mos pjesëmarrjen në ceremoninë që drejtohet nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e cila mbledh personalitete të larta shtetërore nga mbi 130 vende të botës, Haradinaj e kishte arsyetuar me klimën e krijuar lidhur me taksën.

“Ftesë kam, pra e kam marrë. Por nuk kam vendos a do të shkojë a jo ende. Edhe pse në këtë klimë të tanishme me taksën më duket se më mirë me prit me shku më vonë”, ka thënë Haradinaj.

Vizitën e fundit në Amerikë, Ramush Haradinaj, e kishte realizuar në shtator të vitit të kaluar.

Në qëndrimin disa ditor atje, Haradinaj është takuar me senatorë e kongresmenë të shumtë, ndër të cilët kishte veçuar disa.

“Mund të veçoj takimin në West Point dhe takimin në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes James Mattis. E kam siguruar gjeneralin që gjendja në Kosovë është stabile dhe e informova për transformimin e FSK-së në ushtri. Për dialog e kam informuar që marrëveshje Kosovë-Serbi duhet të arrihet por jo me lëvizje të kufijve. Kosova e ka bekimin për Ushtrinë e Kosovës”, kishte njoftuar Haradinaj, pas kthimit nga Amerika.

COMMENTS