Gjykata nuk arrin ta gjejë Shukri Bujën, për ta dërguar në vuajte të dënimit me burg

Gjykata nuk arrin ta gjejë Shukri Bujën, për ta dërguar në vuajte të dënimit me burg

Selvije Halimi: Gruaja është themeli i suksesit të individit, familjes dhe shoqërisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2021, kishte lëshuar një urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit me burgim për ish-kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Buja është dënuar me një vit burgim efektiv nga Gjykata e Apelit, pasi është shpallur fajtor për korrupsion për kohën sa kishte qenë kryetar i Komunës së Lipjanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas urdhëresës së gjykatës, Buja ka qenë dashur të fillojë vuajtjen e dënimit prej një viti burgim nga data 22 mars 2021.

Por, me arsyetimin se Buja ka ndërruar vendbanim, gjykata nuk kishte arritur që urdhëresën të dorëzojë tek ish-kryetari i Lipjanit, tashmë i dënuar për korrupsion.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 26.02.2021, ka lëshuar Urdhëresë për të dënuarin SH.B. që i njëjti të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë me datë 22.03.2021, për mbajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej një viti. Urdhëresa i është lëshuar sipas adresës së cekur në aktgjykim, por sipas fletë dërgesës së kthyer nga ana e dorëzuesve të gjykatës, e njëjta nuk ka arritur të dorëzohet pasi që në fletë dërgesë është shënuar se i njëjti është shpërngulur nga ajo adresë”, thuhet në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” nga ana e zyrtares për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Në përgjigjen për “Betimi për Drejtësi”, Gashi ka thënë se gjykata e ka përsëritur sërish urdhëresën për Bujën. Sipas urdhëresës së re, Buja duhet të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 12 prill 2021.

“Bazuar në këtë Gjykata përsëri me datë 25.03.2021 ka përsëritur Urdhëresën për të dënuarin SH.B., që i njëjti të lajmërohet në vuajtje të dënimit më datë 12.04.2021, mirëpo deri më tani nuk kemi informacione nëse i njëjti ka pranuar Urdhëresën nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e Gashit për “Betimi për Drejtësi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kishte dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Ky dënim i shqiptuar ndaj tij, kishte ardhur pas rigjykimit dhe pasi që në gjykimin e parë, Buja ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar ishin shpallur edhe zyrtarët tjerë komunal të Lipjanit, Bajram Rizani, Halit Gashi, Edmond Rexhepi, kurse për marrje ryshfeti, fajtor ishte shpallur Hasim Viseshella.

Të akuzuarit Rizani, Gashi dhe Rexhepi ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim, mirëpo, ky dënim, me pëlqimin e tyre ishte zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro. Kurse, i akuzuari Viseshella ishte dënuar me pesë muaj burgim. Edhe për këtë të akuzuar, dënimi me burg ishte zëvendësuar në dënim në gjobë, në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku, Driton Avdiu dhe Burim Kodra ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në mungesë të provave.

Ndaj Bujës, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim refuzues për pesë pika të akuzës, ku ngarkohej me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit.

Edhe ndaj të akuzuarit Fahri Retkoceri, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe punimeve ndërtimore të kundërligjshme. Kjo, sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka ardhur pasi që veprat penale janë parashkruar.

Gjykata kishte detyruar të akuzuarin Buja, që të kompensojë Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në lartësi prej 79,155.00 euro, kurse për kërkesat tjera pasurore-juridike, Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit i kishte udhëzuar në kontest civil. Sa i përket propozimit për anulimin e vendimeve të cekura në aktakuzë, gjykata ka vendosur që të njëjtat janë jo-lëndore pasi janë nxjerrë në procedura administrative.

Pas ankesave të ushtruara kundër këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit ia kishte përgjysmuar dënimin Bujës ashtu që ndaj tij kishte shqiptuar dënim me burgim efektiv prej një viti.

Po ashtu, Bujës i është shqiptuar edhe dënim plotësues “ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”.

Gjykata e Apelit e kishte anuluar edhe dënimin plotësues të shqiptuar ndaj Bujës nga shkalla e parë, ku Buja detyrohej që palët e dëmtuara t’i kompensojë me afër 80 mijë euro. Për këtë pikë, Apeli i kishte udhëzuar Komunën e Lipjanit dhe AKP-në në kontest të rregullt civil.

Për pikat të tjera të aktakuzës për të cilat shkalla e parë i kishte dënuar Bujën dhe të akuzuarit Halit Gashi dhe Bajram Rizani, Apeli kishte nxjerr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu, aktgjykim refuzues ishte marr edhe për të akuzuarën Magbule Sadiku e cila ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë.

Ndërsa për të akuzuarit, Hasim Vishesella dhe Edmond Rexhepi, Apelit e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë e cila të njëjtit i kishte dënuar për korrupsion dhe lëndën ndaj tyre e ka kthyer në rigjykim. Për pjesët tjera të aktgjykimit, Apeli e kishte lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.

Kundër këtyre vendimeve, mbrojtja e Shukri Bujës ka ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se kërkesa për mbrojtje ligjshmërie, për rastin në fjalë, është pranuar në Gjykatën Supreme me datë 16 shkurt 2021, me datë 8 mars 2021 është ndarë në punë dhe ende nuk është vendosur” – thuhet në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” nga zyrtarja për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Nebih Zeqiri, mirëpo për shkaqe shëndetësore, gjykata kishte veçuar procedurën për të.

Ndryshe, pas përfundimit të gjykimit të parë, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.

Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

Në rigjykim, Apeli e kishte udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 13 shkurt 2017 kishte ngritur aktakuzë me të cilën i ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqirin – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Buja akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, kishte nxjerrë vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm, për eksproprijimin e patundshmërive në Medvec dhe Magure, me gjithsej sipërfaqe 76.30.37 ha, edhe pse për eksproprijimin për eksploatim ka qenë kompetent niveli qendror.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “N Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu, Retkoceri akuzohet se të akuzuarit Buja ia kishte riparuar një automjet të tipit “Mercedes ML”, i cili kishte qenë pronë e Komunës së Lipjanit. Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Retkoceri e kishte bërë për të ndikuar tek inspektorët komunal që të mos ia ndërprenë punimet në objektin e nisur.

E për veprimin e lartcekur, prokuroria e ngarkon edhe Bujën pasi sipas aktakuzës, me dashje ka ndikuar tek zyrtarët tjerë komunal që të mos e pengojnë Retkocerin në ndërtimin e objektit kolektiv-banesor.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për të gjitha këto veprime, PSRK e ngarkon Bujën me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzohen edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Bajram Rizani.

Hasim Viseshella akuzohet për veprën penale “Marrje e ryshtetit”, kurse i akuzuari Fahri Retkoceri akuzohet për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)