« Vazhdon “Shembja” e LDK-së në Lipjan »

« Vazhdon “Shembja” e LDK-së në Lipjan »

Hajrullahu, “Në Janjevë do të organizojmë panairin për promovimin e prodhimeve bujqësore dhe artizanateve tona”

Subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan ka akuzuar qeverisje e LDK-së me arsyetim se projektet infrastrukturore po degradohen si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve. Ndërkohë, ato nuk po riparohen pavarësisht reagimeve të qytetarëve dhe të opozitës. Kryetari i PDK-së në Lipjan, Hyzer Rizani, ka thënë se rruga dhe trotuari që çon te parku i biznesit është degraduar pas një periudhe të shkurtër të asfaltimit.

Sipas tij, shumë fshatra po përballen me telashe në rrjetin e kanalizimit.

“Rruga që çon te parku është degraduar, kurse komuna nuk po intervenon për ta riparuar atë. Në atë zonë kompanitë e ndryshme kanë marrë zhavorr pa u kontrolluar nga askush. Për ndërtimin e kësaj zone të biznesit kryetari Ahmeti ka premtuar që në mandatin e parë prej afro tetë vitesh, por që ende nuk është realizuar”, ka thënë Rizani.

Ndërkaq, sipas Rizanit në fshatin Ribar i Madh, rruga kryesore që lidh fshatin Torinë është vërshuar nga ujërat e zeza si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve të rrjetit.

“Banorët janë në hall, pasi atyre u rrezikohen edhe të mbjellat që janë rreth kësaj rruge, kalimi në këmbë është i vështirë, kundërmimi ka filluar të ndihet. Ne si opozitë vazhdimisht kemi kërkuar riparimin e projekteve të degraduara, mirëpo shqetësimet tona dhe të qytetarëve kanë hasur në vesh të shurdhër”, ka shtuar Rizani.

Ndërkohë, subjekti që ai udhëheq, gjatë ditës nëpërmjet një komunikate ka reaguar edhe për shembjen e dheut në fushën e futbollit në fshatin Magurë dhe dëmtimi i pronës publike në Qendrën e Azilit në këtë fshati.

“Qeverisjes së Lipjanit i dështoi edhe një projekt. Ekipet e PDK-së kanë vizituar fushën e futbollit në fshatin Magurë të Lipjanit pasi që punimet jo cilësore kanë shkaktuar shembje të dheut duke e dëmtuar edhe rrethojën e qendrës së Azilkërkuesve. Në këtë rast është dëmtuar prona publike dhe buxheti i taksapaguesve. Shembja e dheut në fushën e futbollit në Magurë ndërlidhet edhe me ‘Shembjen’ e qeverisjes së Imri Ahmetit që ndodhi disa ditë më parë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre aktualisht, fusha e futbollit ende nuk është funksionale dhe në ardhmen paraqet rrezik për sportistët dhe tifozët, prandaj komuna duhet me urgjencë ta riparoj këtë punë të keqe. “Ndërkaq, sa i përket ‘Shembjes’ së LDK-së në Lipjan, atë nuk mund ta riparoi as niveli qendror”, thuhet në fund të komunikatës.

Koha.net

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)